Pika kufitare e Morinës është përballur këtë të shtunë me një fluks të lartë lëvizjesh, ndërsa mijëra pushues nga Kosova dhe vendet e rajonit kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar fundjavën.
Sipas të dhënave zyrtare, nga ora 20:00 e mbrëmjes së djeshme deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm, përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë në Shqipëri 12 mijë e 642 shtetas të huaj dhe 1 mijë e 471 shtetas shqiptarë.
I lartë ka qenë edhe numri i mjeteve që kanë kaluar kufirin, ku gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 119 autobusë.
Ndërkohë, daljet nga Shqipëria kanë qenë dukshëm më të ulëta, në 12 orët e fundit përmes pikës kufitare të Morinës kanë dalë vetëm 1 mijë e 887 shtetas.
Pushuesit shprehen se zgjedhin bregdetin shqiptar për çmimet e përballueshme, plazhet e pastra dhe afërsinë me Kosovën.
Pavarësisht fluksit të lartë, në pikën kufitare të Morinës nuk janë krijuar radhë apo vonesa.
