Vlora është blinduar mëngjesin e kësaj të shtune, për shkak të protestës së thirrur nga përfaqësues të shoqërisë civile kundër vendosjes së TEC-eve lundruese në zonën e Triportit.
Mbi 200 efektivë policie janë vendosur në pika të ndryshme të qytetit. Në terren janë angazhuar forca të Policisë së Rendit, Njësisë "Shqiponja", Njësisë Delta, si edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të ardhura nga Tirana dhe Shkodra.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë paralajmëruar zhvillimin e protestës gjatë paradites, me qëllim kundërshtimin e rrethimit të zonës dhe vendosjes së TEC-eve lundruese në Triport.
Deri në këto momente, situata në terren paraqitet e qetë. Autoritetet kanë marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë.
