Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, e ftuar në “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 tha se protestat e ditëve të fundit nuk kanë më fuqinë e madhe që patën në fillim. Ajo tha se në ditët e para ato ishin qytetare dhe pa ndikim politik, por sipas saj, kur partitë politike u përfshinë, pjesëmarrja filloi të bjerë.
“Në ditët e para protesta ka qenë qytetare dhe nuk ka pasur aspak ndikime politike. Problemin unë e shoh në momentin që hyjnë partitë politike dhe mendoj që këtu pati një tkurrje të njerëzve, sepse ata kërkuan që mos të kishte fare ndërhyrje nga politika. Pra, po bënin thirrje për largimin e kasës së vjetër”.tha Çakërri.
Deputetja shtoi se prania e opozitës dhe e aktorëve politikë që kërkojnë të marrin hapësirë ka ndikuar në largimin e protestuesve të parë. Ajo e cilësoi këtë lëvizje si “Shqipëria e Re” që del me slogane të vjetra, pa lidership dhe pa strukturë.
“Nuk besoj që do na çojë gjëkundi. Prandaj do vazhdojë të tkurret me kohën”.tha Çakërri.
Sipas saj, qytetarët nuk po e mbështesin më protestën aq masivisht për shkak të mungesës së konsistencës dhe futjes së elementëve politikë.
“Mendoj që njerëzit nuk po e përkrahin më aq masivisht sa ç’ishte ditët e para, pikërisht për këto arsye”.tha Çakërri.
