Lideri demokrat Sali Berisha tregon se ka zhvilluar "një udhëtim blic" ditën e enjte, por jo për t'u arratisur nga Shqipëria siç është aluduar në rrjetet sociale, por për një vizitë në Berlin, në Budestagun Gjerman.
"Së pari: Për të marrë pjesë, me ftesë të zotit Christian Freiherr von Stetten MdB, Kryetar i Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, në festën e 50-të verore të PKM-së. Ky aktivitet u zhvillua po atë ditë, më 25 qershor 2026, nga ora 17:30 në Kopshtin e Kronprinzenpalais, në Berlin.
Së dyti: Për të takuar miq të mi të shquar gjermanë në Bundestag, CDU, për t'i falënderuar ata me mirënjohje të thellë për mbështetjen e tyre të çmuar ndaj meje, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë", shkruan lideri demokrat, teksa zbulon dy qëllimet e udhëtimit të tij jashtë vendit.
Newsbomb.al raportoi pasditen e së enjtes se Sali Berisha po udhëtonte jashtë Shqipërisë, nga Aeroporti i Rinasit, por deri më sot, nuk kishte asnjë informacion se për ku ishte nisur. Lideri demokrat shoqërohej nga Tomor Alizoti.
Siç shihet dhe nga pamjet që një qytetar ka ndarë në rrjetet sociale, Berisha është shoqëruar nga shërbimi ekskluziv i aeroportit deri në shkallët e avionit.

