Një grup prej rreth tetë protestuesish e kanë kaluar edhe këtë të premte natën përpara godinës së Kryeministrisë, duke vijuar skenarin e ditëve të fundit në kuadër të protestës që po zhvillohet prej 26 ditësh.
Për të përballuar qëndrimin gjatë natës, protestuesit kanë marrë me vete batanije, ndërsa janë sistemuar në karriget metalike pranë pemëve në afërsi të godinës së Kryeministrisë. Ata kanë zgjedhur të njëjtin vend si në netët e mëparshme, pa penguar qarkullimin e automjeteve.
Qëndrimi gjatë natës është kthyer tashmë në një “skenar” të një pjese të protestuesve, të cilët edhe pas përfundimit të fjalimeve dhe tubimit të mbrëmjes, refuzojnë të largohen nga Bulevardi dhe se kanë deklaruar se do të qëndrojnë aty deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, protesta e zhvilluar një ditë më parë u shoqërua sërish me leximin e kërkesave të grupit organizator, të artikuluara fillimisht nga Dritan Goxhaj. Mes tyre mbeten dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike 12-mujore, ndryshime kushtetuese, reformimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimumi dy mandate.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre përpara Kryeministrisë, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ndërkohë që thirrjeve të protestuesve nëj ditë më parë iu bashkuan dhe ato kundër presidentit Bajram Begaj. Për herë të parë protestuesit brohoritën dhe emrin e Begajt duke thirrur në kor “Begaj ka mbaruar”.
