Juristi Ylli Manjani, i ftuar në Euronews Albania, ka deklaruar se shkrimtari Ben Blushi ka bërë një parashikim në librin e tij “Jam Mysliman” në lidhje me rrëzimin e bustit të Skënderbeut.
Sipas Manjanit, ashtu si në librin e Blushit, gjithçka ka nisur nga një gjë e kotë, teksa ironizon me fjalët: “Duan të heqin Skënderbeun e Elisës”.
Sa u përket thirrjeve revolucionare, juristi tha se ato janë thirrje komuniste dhe i përkasin ekstremit të majtë. Po ashtu, Manjani deklaroi se revolucioni më i dështuar në shtetin shqiptar është “Reforma në Drejtësi”.
Manjani: Më ka ardhur në mendje këto kohë profecia e mikut tim Ben Blushi, i cili në librin e tij të fundit ‘Jam Mysliman’ përshkruan në mënyrë profetike këtë që po ndodh, se si për një synetllëk njerëzit mblidhen në Tiranë për të hequr bustin e Skënderbeut.
Është Rama, është Skënderbeu dhe këta duan të heqin ‘Skënderbeun e Elisës’. Janë të lidhura gjërat. Për një synetllëk, pra, njerëzit nisen nga një gjë e kotë.
Në raste të tilla, nuk mund të flasësh për një logjikë dhe është e vështirë të bësh interpretime mbi ato që thuhen, ndërsa ata që flasin qajnë hallet e veta. Pra, shoqëria e këtyre ditëve është një qajtore shumë e madhe.
Ju e dini alergjinë që kam ndaj revolucioneve dhe ata që flasin për revolucion janë ekstremistë të majtë dhe komunistë. Këta që dalin me logo revolucionare të bëjnë që dështimi i Edi Ramës të duket si një lule.
Unë mendoj se ne kemi bërë një revolucion të madh që quhet ‘Reforma në Drejtësi’, një revolucion antishtet dhe i duartrokitur nga turma.
Kemi ndërtuar një sistem politik për të goditur shtetin.
