Aktivisti Rigels Xhemollari ka bërë të ditur se protesta qytetare e njohur si "Revolucioni i Flamingove", e cila ka hyrë në ditën e 28-të, po vijon të organizohet dhe të zgjerohet përtej tubimeve të përditshme.
Përmes dy fotografive të publikuara në rrjetet sociale, ai ka treguar se janë zhvilluar takime me grupe të ndryshme të shoqërisë. Sipas tij përgjatë ditëve të fundit janë organizuar takime me studentë dhe pedagogëve ku është diskutuar për forma të reja të reagimit qytetar dhe intensifikimin e protestës. Ndërkohë, në një tjetër takim kanë marrë pjesë gazetarë investigativë, aktivistë dhe ekspertë të mjedisit, të cilët kanë diskutuar mbi mënyrat për të evidentuar abuzimet me zonat e mbrojtura dhe dëmtimin e mjedisit.
“Protesta që po farkëton Shoqërinë e Re! Vlera dhe forca më e madhe e kësaj proteste 28-ditore është shtrirja e saj horizontale: pa një lider të vetëm, pa një kryetar, por me mijëra qytetarë që ndajnë të njëjtën përgjegjësi dhe të njëjtin qëllim.
Kjo nuk do të thotë se protesta është pa organizim. Përkundrazi. Ajo po farkëton grupime të reja shoqërore, po krijon struktura qytetare dhe hapësira bashkëpunimi që Shqipërisë i kanë munguar prej kohësh dhe që nesër do t'i shërbejnë demokratizimit të vendit. Këtë e pashë edhe në dy takimet e zhvilluara këto ditë”, shkruan Xhemollari ndër të tjera.
Postimi i plotë i Xhemollarit:
Protesta që po farkëton Shoqërinë e Re!
Vlera dhe forca më e madhe e kësaj proteste 28-ditore është shtrirja e saj horizontale: pa një lider të vetëm, pa një kryetar, por me mijëra qytetarë që ndajnë të njëjtën përgjegjësi dhe të njëjtin qëllim.
Kjo nuk do të thotë se protesta është pa organizim. Përkundrazi. Ajo po farkëton grupime të reja shoqërore, po krijon struktura qytetare dhe hapësira bashkëpunimi që Shqipërisë i kanë munguar prej kohësh dhe që nesër do t'i shërbejnë demokratizimit të vendit.
Këtë e pashë edhe në dy takimet e zhvilluara këto ditë.
Në njërin u mblodhën studentë dhe pedagogë të protestës, të cilët ndanë ide konkrete se si reagimi qytetar mund të intensifikohet dhe të marrë forma të reja.
Në tjetrin u takuan gazetarë investigativë, aktivistë dhe ekspertë të mjedisit, të cilët diskutuan mënyrat më efektive për të ekspozuar abuzimet me zonat e mbrojtura dhe shkatërrimin e mjedisit.
Ndoshta ky është edhe rezultati më i rëndësishëm i kësaj proteste: jo vetëm rezistenca në shesh, por lindja e një shoqërie që organizohet, bashkëpunon dhe prodhon ide të reja përtej protestës.
