Një ngjarje e regjistruar ditën e sotme, ka tronditur Prishtinën, pasi dy qytetarë dhe pesë zjarrfikës kanë mbetur të lënduar nga zjarri i cili ka përfshirë kulmin e e një ndërtese pranë Parkut të qytetit. Mësohet po ashtu se njëri prej të lënduarve është një fëmijë 5-vjeçar.
Mediat vendase raportojnë se drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulëzim Fushtica, është shprehur se tashmë gjendja e zjarrit është në kontroll dhe drejt shuarjes. Për gjendjen e qytetarëve dhe të zjarrfikësve, Fushtica tha se ata nuk kanë marrë lëndime të mëdha, duke shtuar se zjarri ka nisur në ora 07:28 në mëngjes, e megjithëatë edhe pas 5 orëve nuk është shuar ende.
“Në orët e hershme të mëngjesit ka nisur zjarri. Rastin e kemi pranuar në ora 07:28 në mëngjes. Menjëherë të gjitha ekipet që kanë qenë në detyrë, po edhe ekipe të tjera janë angazhuar. Pra për momentin e kemi këtu, prej fillimit ë brigadën profesionale të zjarrfikësve, policinë e kryeqytetit, ekipet e emergjencës mjekësore, të drejtorisë për siguri dhe emergjenca dhe deri tani, pra sa po flasim, është ora 12:45, që 5 orë jemi këtu dhe për këtë moment është ngjarja e lokalizuar. Kemi të lënduar dy qytetarë të cilët kanë qëlluar në ndërtesë, në banesën e tyre. Njëri prej tyre është fëmijë 5-vjeçar, i cili është në emergjencë. Dhe gjatë intervenimeve janë edhe pesë zjarrfikës të cilët kanë kërkuar ndihmë, mirëpo nuk janë lëndime të them të mëdha, po janë lëndime profesionale gjatë kryerjes së punës së tyre dhe ata të gjithë janë trajtuar nga ekipet e emergjencës që janë në vendin e ngjarjes dhe vazhdojmë ende me punën”, tha Fushtica.
Ende nuk është identifikuar shkaku i rënies së zjarrit, teksa prej orësh tashmë të gjithë banorët janë evakuuar.
