Sot shënohen 82 vjet nga nisja e masakrave ndaj shqiptarëve të Çamërisë, një nga ngjarjet më të dhimbshme. Me këtë rast, gazetari Marin Mema ka ndarë në rrjetet e tij sociale një kujtim me nënë Gjylon, një nga dëshmitaret që i kishte folur për atë tragjedi.
Ai ka publikuar një fotografi të realizuar me të dy vite më parë, kur ajo ishte 106 vjeçe. Nënë Gjylua, e cila ndërroi jetë pak kohë më parë, jetoi në fund me mallin e pashuar për vendlindjen e saj në Çamëri, pa mundur të rikthehej asnjëherë në trojet ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë.
“Nënë Gjylon e njoha dy vjet më parë. Ishte 106 vjeçe dhe kishte përjetuar si 20 e ca vjeçare, masakrat në Çamëri, atë tragjedi që e kishte prekur edhe atë vetë… Jetonte me brengën dhe mallin e pashuar për të parë edhe një herë vendin e saj, vendin ku kishte ecur si fëmijë, ku ruante kujtimet e rinisë, shtëpinë, rrugicat, pragjet, gjyshin e gjyshen, prindërit.
Nuk mundi. Nënë Gjylua u nda nga jeta pak kohë më parë, duke shkuar në dritën e përjetësisë pa mundur të rikthehej sërish në Çamërinë e saj! Unë nuk jam me origjinë nga Çamëria, por Çamërinë e ndjej pjesë të shpirtit tim, ashtu si cdo pëllëmbë të trojeve shqiptare… nga Pazari i Ri në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, nga Molla e Kuqe e Nishi, në Shkup, Kumanovë, e deri në Prevezë. Sepse atdheu nuk matet vetëm me vendlindjen. Matet me kujtesën, gjakun, historinë dhe përgjegjësinë që secili prej nesh ka për ta mbrojtur”, shkruan ai, teksa më tej thekson se shumë njerëz të cilët e kaluan mbi shpatullat e tyre atë tragjedi, nuk kanë kërkuar hakmarrje, por drejtësi.
Duke vënën dukje dashurinë e tij për çdo pëllëmbë tokë, gazetari thekson se kujtesa historike nuk duhet të zbehet dhe se Çamëria mbetet një çështje e hapur në ndërgjegjen kombëtare.
“Sot, 82 vjet pas nisjes së masakrave ndaj shqiptarëve të Çamërisë, jetojnë ende dëshmitarë të asaj tragjedie. Nuk kërkojnë hakmarrje. Nuk kërkojnë urrejtje. Kërkojnë vetëm drejtësi. Çamëria kërkon drejtësi”, shkruan ai.
Reagimi:
Nënë Gjylon e njoha dy vjet më parë. Ishte 106 vjeçe dhe kishte përjetuar si 20 e ca vjeçare, masakrat në Çamëri, atë tragjedi që e kishte prekur edhe atë vetë… Jetonte me brengën dhe mallin e pashuar për të parë edhe një herë vendin e saj, vendin ku kishte ecur si fëmijë, ku ruante kujtimet e rinisë, shtëpinë, rrugicat, pragjet, gjyshin e gjyshen, prindërit. Nuk mundi. Nënë Gjylua u nda nga jeta pak kohë më parë, duke shkuar në dritën e përjetësisë pa mundur të rikthehej sërish në Çamërinë e saj! Unë nuk jam me origjinë nga Çamëria, por Çamërinë e ndjej pjesë të shpirtit tim, ashtu si cdo pëllëmbë të trojeve shqiptare… nga Pazari i Ri në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, nga Molla e Kuqe e Nishi, në Shkup, Kumanovë, e deri në Prevezë. Sepse atdheu nuk matet vetëm me vendlindjen.
Matet me kujtesën, gjakun, historinë dhe përgjegjësinë që secili prej nesh ka për ta mbrojtur. Nga viti 2003 deri në 2012 jam shoqëruar e mbajtur disa herë në komisariatet e Margëlliçit, Filatit, Gumenicës dhe Prevezës. Kam marrë kërcënime, presion dhe largimin e detyruar, deri në vendimin ekstrem. Sot hyj në vitin e 14-të si “non grata”, i shpallur “Rrezik për Sigurinë Kombëtare” në Greqi, sepse nuk pranova të hesht për Çamërinë dhe interesin kombëtar. Nuk pranova të hesht për zona të tjera, Negovanin, Bellkamenin, Konicën e me rradhë! Nuk heshta së thëni të vërtetën dhe nuk do të hesht kurrë!
Ndërkohë, për Belerin, njeriun e përfshirë sipas organeve përkatëse në Masakrën e Peshkëpisë, dosjet zhduken ose nuk çohen deri në fund. Përse? Përse nuk hetohet, përse nuk bëhet drejtësi? Sot ka një dosje në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e kanë çuar autoritetet… Përse heshtet? Kjo është diferenca mes atij që mbron interesin kombëtar dhe atyre që gëzojnë mbështetje politike. Sot, 82 vjet pas nisjes së masakrave ndaj shqiptarëve të Çamërisë, jetojnë ende dëshmitarë të asaj tragjedie. Nuk kërkojnë hakmarrje. Nuk kërkojnë urrejtje. Kërkojnë vetëm drejtësi. Çamëria kërkon drejtësi!
