Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar për herë të parë zyrtarisht në lidhje me protestat kombëtare që po zhvillohen prej 33 ditësh në vend.
Në njoftimin drejtuar shtetasve amerikanë, ambasada thekson se protestat e përnatshme po vijojnë përpara godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mes Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza.
Sipas selisë diplomatike, tubimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe mund të shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit.
Në njoftim nënvizohet se, megjithëse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi.
Autoritetet paralajmërojnë se në zonat ku zhvillohen protestat mund të ketë prani të shtuar të policisë, bllokime rrugësh, devijime të trafikut dhe vështirësi në qarkullim, veçanërisht në orët para dhe gjatë zhvillimit të tubimeve. Po ashtu, nuk përjashtohet zgjerimi i protestave në zonat përreth, përfshirë edhe pranë institucioneve të tjera qeveritare.
Ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë dhe publikut në përgjithësi të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm ndaj rrethinës, të kufizojnë shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike, si dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar.
Më tej rekomandohet që qytetarët të kenë gjithmonë një plan emergjence ose daljeje dhe të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjes në zonat ku mund të ketë grumbullime.
Kujtojmë se të shtunën në vend pritet të zhvillohet një tjetër protestë e madhe, ku pjesëmarrëse pritet të jetë edhe diaspora shqiptare. Incidentet e regjistruara ditët e fundit pranë Kuvendit kanë ngritur shqetësime për mundësinë e përshkallëzimit të dhunës në protestat e ardhshme.
