Gazetari Klevin Muka ka lexuar para Kryeministrisë deklaratën e grupit koordinues në ditën e 33-të të protestave që po zhvillohen në Tiranë. Muka iu referua ngjarjeve të ndodhura paraditen e sotme ku para Kuvendit të Shqipërisë disa protestues u përplasën e forcat e policisë.
Muka theksoi se protesta e paradites së sotme vijoi normalisht deri në momentin kur policia nisi të hidhte gaz lotsjellës. Ne fund ai shtoi se nëse dhuna është argumenti i qeveritarëve atëherë protestuesit do të vijojnë me rezistencë.
“Sot, meqenëse kishte seancë plenare, kishim vendosur të mbanim protestë para Parlamentit për t'u treguar deputetëve që nuk na përfaqësojnë. Në protestën e ditës së sotme kishim lajmëruar qytetarët që të pajiseshin me vezë dhe miell, me qëllim që të bënin pis deputetët që nuk përfaqësojnë votuesit, por kryetarin. Njërit prej protestuesve dyshohet se i është thyer hunda. Në atë moment dukej se policia kriminale ishte bërë gati për dhunimin e qytetarëve. Pas kësaj, protesta vijoi normalisht, me qytetarët e revoltuar. Kjo ndodhi deri sa qytetarët, të ulur para Parlamentit, filluan të dhunoheshin nga policia. Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, duke përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Kryeministrit Rama dhe shtetit kriminal i është sosur durimi. Ne do t'i themi që kjo protestë është gjëja më e bukur që i ka ndodhur këtij vendi dhe do të jemi këtu derisa ai të largohet në mënyrë paqësore, ashtu siç e kërkojnë qytetarët. Nëse argumenti juaj është dhuna, argumenti ynë është qëndresa dhe rezistenca",- tha Muka.
