Aktivisti i Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi, ka reaguar në lidhje me incidentet e dhunshme që u regjistruan ditën e sotme para Parlamentit, ku mbetën të lënduar disa efektivë të policisë, ndërsa 23 protestues u shoqëruan në polici.
Në një postim në Facebook, Qiraxhi shkruan se e kishte paralajmëruar se zhvendosja e protestës para Parlamentit ishte e dëmshme.
Sipas tij, forca e protestës qëndron në tre elemente: masiviteti, kreativiteti dhe qetësia. Më tej, ai thekson se, pas dhunës së ushtruar pranë Parlamentit, rrezikojnë të humbasin këta tre elementë që e karakterizojnë protestën.
"Protesta që na përfaqëson është ajo qytetare, paqësore, masive dhe dinjitoze, aty ku kauza jonë nuk zbehet nga tensioni, por forcohet nga qëndrueshmëria", thekson aktivisti.
Në fund, ai nënvizon se, pas incidenteve të ditës së sotme, duhet të nxirret mësim dhe protestuesit të mos ndahen, por të ruajnë qetësinë.
Postimi i plotë i Qiraxhi:
Kush doli në rrugë 32 ditë doli pikërisht se e di kush është qeverisësi dhe establishmenti politik në këtë vend dhe të dakordësuar ashtu pa fol për këtë zgjodhëm të luftojmë me Masivitet, Kreativitet dhe Paqësisht.
E kuptoj lodhjen, frustrimin dhe zemërimin e qytetarëve pas javësh protestë, por humbja e qetësisë nuk i shërben kauzës sonë. Çdo reagim i dhunshëm apo i papërmbajtur nga kushdo, sado i provokuar të ndihet, dëmton mesazhin dhe forcën qytetare të protestës.
Reagimi i policisë sot ishte i ashpër, disproporcional dhe në shumë momente provokues. Policia nuk duhet të sillet si palë politike, por si institucion që garanton sigurinë, të drejtën për tubim dhe dinjitetin e qytetarëve.
Forca jonë nuk ka qenë kurrë te përplasja.
Forca jonë ka qenë te masiviteti, kreativiteti dhe qetësia.
Kam qenë prej javësh kundër zhvendosjes së protestës te Parlamenti, sepse aty rrezikojmë të humbasim pikërisht këto tre elemente që na kanë bërë të fortë dhe të drejtë në sytë e publikut.
Protesta që na përfaqëson është ajo qytetare, paqësore, masive dhe dinjitoze, aty ku kauza jonë nuk zbehet nga tensioni, por forcohet nga qëndrueshmëria.
Sot duhet të nxjerrim mësim, jo të ndahemi.
Të ruajmë qetësinë, të ruajmë njëri-tjetrin dhe të mos lejojmë askënd ta devijojë protestën nga qëllimi i saj.
