Hapësire reklamuese

Aktualitet

36 vite nga eksodi i madh i Ambasadave në Tiranë, simboli i guximit të atyre që zgjodhën lirinë

Shkruar nga Newsbomb
36 vite nga eksodi i madh i Ambasadave në Tiranë, simboli i guximit
Foto nga Ambasada Gjermane

Ambasada Gjermane në Shqipëri, ka rikujtuar një moment shumë të rëndësishëm të historisë së popullit shqiptar, 2 Korrikun e 1990-ës, ditën kur mijëra shqiptarë e shqiptare u dyndën drej ambasadave të huaja në Tiranë.

Sot janë bërë plot 36 vite nga momenti kur rreth 5,000 qytetarë shqiptarë sfiduan diktaturën dhe hynë me forcë ose fshehurazi në oborret e ambasadave të huaja për të kërkuar azil politik dhe liri.

“Në territorin e Ambasadës Gjermane gjetën strehim përfundimisht më shumë se 3.200 persona. Të shtyrë nga dëshira për liri, demokraci dhe kushte më të mira jetese, ata ndërmorën një hap të guximshëm drejt të panjohurës”, shkruhet ndër të tjera në postimin e Ambasadës gjermane.

2 korriku është i njohur si eksodi i madh i ambasadave në Tiranë, dhe është një nga ngjarjet më vendimtare të historisë së Shqipërisë. Fluksi më i madh u regjistrua në Ambasadën Gjermane , e ndjekur nga ajo Italiane ,rreth 800 persona, Ambasada e Francës dhe ajo e Çekosllovakisë.  Rasti më i njohur qe ai i Ylli Bodinakut, i cili çau murin e Ambasadës Gjermane në Tiranë me një kamion tip "Skoda", duke krijuar një rrugë për qindra qytetarë të tjerë.

Qytetarët e strehuar jetuan në kushte të vështira nëpër oborret e ambasadave për rreth 11 ditë nga 2 korriku deri më 12–13 korrik 1990. Dhe qëndresa e atyre ditëve ia vlejti sepse, pas negociatave të regjimit komunist me të dërguarit e OKB-së, qeveria u detyrua t’i pajiste me pasaporta dhe t’i lejonte të largoheshin nga Porti i Durrësit në drejtim të vendeve Perëndimore.

Postimi i plotë i Ambasadës Gjermane:

2 Korrik 1990 – Një ditë që hyri në histori

Sot, më 2 korrik, kujtojmë fillimin e arratisjes së mijëra shqiptareve dhe shqiptarëve drejt ambasadave të huaja në Tiranë. Në territorin e Ambasadës Gjermane gjetën strehim përfundimisht më shumë se 3.200 persona. Të shtyrë nga dëshira për liri, demokraci dhe kushte më të mira jetese, ata ndërmorën një hap të guximshëm drejt të panjohurës.

Ngjarjet e korrikut 1990 u bënë një pikë kthese në historinë e Shqipërisë dhe kontribuan në rënien e sistemit komunist. Ato mbeten edhe sot simbol i guximit të njerëzve që zgjodhën një jetë në liri.

Ekspozita jonë digjitale „Tirana, Korrik 1990: Arratisja në Ambasadën Gjermane“ sjell në kujtesë këto ditë historike përmes fotografive, dokumenteve të kohës dhe materialeve filmike.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese