Auoritetet Ekuadoriane kanë bërë të mundur goditjen dhe çmontimin e një organizate kriminale të narkotrafikur, e cila vepronte nga Ekuadori dhe dyshohet se ishte e lidhur me strukturat kriminale me origjinë shqiptare dhe poolake. Operacioni i koduar “Gran Fénix 0043 – Azkaban”, rezultoi me arrestimin e 18 personave, mes tyre dy shtetas europianë raportojnë mediat vendase.
Ky operacion nisi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, dhe rezultoi në goditjen e strukturës e cila kishte transportuar rreth 7.5 tonë kokainë, me një vlerë të vlerësuar prej 225 milionë dollarësh në tregjet ilegale ndërkombëtare.
Sipas informacionit të autoriteteve, një nga të arrestuarit kryesorë është Jakimec Tomasz, shtetas polak, ndaj të cilit ishte lëshuar një njoftim i kuq i Interpolit për vepra penale që lidhen me trafikimin e drogës. Hetimet e identifikojnë atë si përgjegjës për krijimin dhe administrimin e kompanive fasadë, të përdorura për të fshehur ngarkesat me drogë të dërguara me rrugë detare drejt Evropës.
I dyti i arrestuar, i cili ka shtetësi shqiptare, në mediat e huaja paraqitet me emrin “Daci”, i cili dyshohet se vepronte si përfaqësues dhe lidhës i organizatave kriminale evropiane në territorin e Ekuadorit.
Sipas Policisë, roli i tij ishte të koordinonte operacionet midis grupeve kriminale të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve të vendosura në Evropë, duke lehtësuar zgjerimin e aktiviteteve të paligjshme.
Si vepronte struktura kriminale?
Hetimet tregojnë se organizata vepronte të paktën që nga viti 2019 dhe kishte lidhje të dyshuara me grupe të armatosura kolumbiane dhe banda kriminale ekuadoriane.
Droga dyshohet se sigurohej në zonat e kufirit verior dhe transportohej përmes korridoreve tokësore drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro, ku përgatiteshin dërgesat për destinacione ndërkombëtare.
Mekanizmi i përdorur nga rrjeti konsistonte në kontaminimin e kontejnerëve të eksporteve të ligjshme me ngarkesa kokaine. Ndër produktet e përdorura për të fshehur lëndën narkotike ishin bananet, kafeja, prodhimet e detit dhe druri, mallra që më pas dërgoheshin në vende evropiane si Holanda, Belgjika, Gjermania, Italia, Danimarka dhe Polonia.
Autoritetet deklaruan gjithashtu se anëtarët e dyshuar përdornin sisteme komunikimi të koduara (të enkriptuara) për të shmangur zbulimin dhe ndjekjen e aktiviteteve të tyre.
Gjatë operacionit u sekuestruan po ashtu telefona dhe pajisje të tjera elektronike të cilat do të analizohen , të 18 të arrestuarit iu janë dorëzuar tashmë autoriteteve gjyqësore.
