Detaje të reja kanë dalë nga debatet e ashpra që raportohet se janë regjistruar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, e zhvilluar këtë të premte, mes kryeministrit Edi Rama, deputetëve të Partisë Socialiste dhe ministrave.
Mësohet se, pas përplasjes së fortë me tone të larta me kryeministrin Edi Rama, deputeti Erion Braçe ka vendosur të largohet nga mbledhja. Edhe pse kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ndërhyrë për të ulur tensionet, Braçe është larguar nga mbledhja në mënyrë demonstrative.
Po ashtu, kritika ka pasur edhe për ministrat. Mësohet se kryeministri Rama ka kritikuar ashpër ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, për mënyrën e përballimit të protestave, raporton VNA.
Ndërsa edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, nuk ka mbetur pa u kritikuar. Bëhet fjalë për rastin e përmendur edhe në fjalimin e tij publik, ku një kërkesë e një qytetari për një investim ishte lënë për tre vite pa përgjigje.
Rama i është rikthyer gjithashtu vërejtjeve të përsëritura ndaj “luftës së bërrylave” në gjirin e PS-së, duke deklaruar se: “Të gjithë duhet ta kuptojnë se sulmet mes njëri-tjetrit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ulin aksionet e ndërmarrjes sonë të përbashkët dhe, rrjedhimisht, edhe aksionet e secilit prej jush.”

