Hapësire reklamuese

Politikë

DOKUMENTI/ Zbardhet "BESA": Edi Rama krijon Njësi pranë Kryeministrisë dhe zhvlerëson Ministritë! Rilindja 2.0, Flamingo Mirror dhe besimi në Qeverisje (E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
DOKUMENTI/ Zbardhet "BESA": Edi Rama krijon Njësi pranë
Edi Rama u prezanton shqiptarëve "BESËN"

Newsbomb.al ka siguruar të plotë Dokumentin Strategjik "BESA" që kryeministri Edi Rama ka prezantuar përpara anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialistëve dhe anëtarëve të Kabinetit Qeveritar, duke premtuar një reflektim në qeverisje nga protesta e flamingove.

Ai tregoi se kishte me vete dy dokumente të quajtura "BESA" dhe "DIMENSIONI I PARTISË", të cilat siç kryeministri theksoi, do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët si një konsultim i gjerë për të bërë më të mirë Shqipërinë.

"I pari është një dokument strategjik për kthesën e këtij mandati qeverisës, kurse i dyti është një aneks që tregon sesi duhet mbështetur kthesa e mandatit të katërt", u shpreh Edi Rama, ndërsa newsbomb.al e sjell atë të plotë.

Bie në sy se Edi Rama ka vendosur të ngrejë në Kryeministri një strukturë të re që do të quhet Njësia BESA, e cila është në ndihmë si ide e riaktualizuar, e cila kërkon mekanizmat që i kthejnë parimet në praktikë. Jo procedura të reja burokratike, por instrumente të një kulture të re qeverisëse. Jo rregulla të reja, po ndryshim në mënyrën se si merren vendimet, si dëgjohet qytetari, si provohet një politikë, si shpjegohet një reformë, si matet rezultati, si mësohet nga përvoja dhe në fund si parandalohet një krizë.

DOKUMENTI I PLOTË:

Askush nuk ndihet mirë kur i kthehet kundër komuniteti të cilit i ka ndryshuar jetën; për më tepër kur ndryshimi ka nisur nga situata që shpesh janë të paimagjinueshme me parametrat e sotëm. Por “mosmirënjohja” është emri më i gabuar i mundshëm për reagimet qytetare të ditëve të sotme. Sepse fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bëhet e papranueshme ajo që mungon. Dhe kjo nuk është mosmirënjohje. Është pritshmëri për standarde të tjera.

Shoqëritë e varfra janë shumë më tolerante ndaj mungesave, sepse ato sundohen nga mendësia që “ka edhe më keq”. Prandaj edhe një llampë që ndizet në një rrugë të errët pritet me gëzim e duartrokitje me bekime. Shqipëria e sotme është përtej asaj faze. Faza e re e zhvillimit, ku kemi hyrë falë një transformimi historik, sundohet nga mendësia që “ka edhe më mirë”. Në këtë fazë shoqëria bëhet gjithnjë e më intolerante ndaj çdo gjëje që mungon. Sepse arritjet nuk i ulin pritshmëritë. I rrisin ato. Dhe bulevardi i flamingove ishte shenja më kuptimplotë e faktit që ne sot jemi, zyrtarisht, në një fazë të re.

Tani nuk besoj se ka mbetur kush në grupin udhëheqës të Partisë Socialiste që të mos e ketë të qartë pse, pas zgjedhjeve që na dhanë 83 mandate, e kam përsëritur shpesh në takimet tona të brendshme se ajo fitore e madhe, sa ç’është një bekim, është edhe një mallkim.

Fitoret e mëdha nuk e tregojnë të gjithë të
vërtetën. Nganjëherë, ato fshehin pikërisht
atë që ka më shumë rëndësi për të ardhmen.

Prandaj sa më e madhe një fitore, aq më e vështirë thellësia e mesazhit të saj, i cili u shpërfaq i plotë mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove.

Tre mandatet e Partisë Socialiste ndryshuan rrënjësisht Shqipërinë. Transformuan qytetet. Ndërtuan infrastrukturën e zhvillimit. Hapën rrugën e modernizimit të shtetit, duke e kthyer anëtarësimin në Bashkimin Europian nga një horizont i largët në një objektiv të arritshëm me sy. Tre mandatet tona të para ndryshuan katërcipërisht mënyrën se si Shqipëria shihet nga bota, po edhe se si shqiptarët shohin vetveten.

Këto janë fakte. Por shoqëria nuk jeton thjesht me faktet. Madje jeta demokratike sot udhëhiqet gjithnjë e më pak nga faktet dhe gjithnjë e më shumë nga përjetimet e qytetarëve.

Kjo është faza kur zhvillimi nuk i ul më pritshmëritë, po vetëm i rrit ato. Dhe siç doli qartë në pah, sa më shumë rriten pritshmëritë, aq më shumë ndryshojnë edhe perceptimi për përgjegjësitë e qeverisë, edhe natyra e përgjegjësisë së qeverisjes.

Bulevardi i flamingove ishte më shumë sesa një manifestim proteste. Ishte një pasqyrë që shoqëria e vuri përpara, për kë ka sy të shikojë dhe zemër të ndjejë sekëlldinë e saj. Ajo pasqyrë nuk vuri në dyshim transformimin e vendit, po nxori në pah anën tjetër të transformimit, duke na treguar se tanimë kemi hyrë në fazën e re të zhvillimit, kur transformimi i një vendi dhe përjetimi shoqëror për transformimin nuk janë më në harmoni, po në tension.

Ky është mësimi kyç i vitit të parë të këtij mandati. Ne kemi folur gjatë dhe kemi punuar shumë për transformimin e Shqipërisë. Por nuk e kemi rrokur në qasjen tonë thellësinë e transformimit të vetë shoqërisë shqiptare.

Sepse Shqipëria nuk ndryshoi vetëm fizikisht. Ndryshuan edhe shqiptarët. Ndërkohë u rrit një brez që jo vetëm nuk e ka jetuar në moshë madhore Shqipërinë e vitit 2013, po as nuk ka ndonjë interes të dijë se ç’ishte ajo Shqipëri. Lëre pastaj Shqipërinë e vitit 1990, e cila për brezin në fjalë është edhe më e largët se ç’është për ne Shqipëria e viteve të para luftës. Madje, u rrit e u bë protestues edhe një brez ende më i ri, që nuk kishte lindur ende kur protestuesit vriteshin me pushkët e shtetit në po atë bulevard.

Shkurt fjala: për ta, Shqipëria e djeshme nuk është më pikë referimi. Për asgjë. Jo më për të krahasuar faktet e qeverisjes. Por kjo nuk është vetëm një çështje brezash. E vërteta është se gjithnjë e më shumë shqiptarë, edhe më të rritur në moshë, nuk e krahasojnë më Shqipërinë që kemi me atë që kishim në vitin 2013, po vetëm me atë që ata vetë besojnë se Shqipëria mund dhe duhet të jetë. Jo nesër. Sot.

SI DUHET LEXUAR KY DOKUMENT

Ky është Dokumenti Strategjik i kthesës së mandatit të katërt. Ai përcakton diagnozën, objektivin, aftësitë që duhet të ndërtojë qeverisja, mekanizmat e zbatimit, arkitekturën e përgjegjësisë, testin e parë dhe mënyrën e matjes. Nuk është program sektorial, rregullore administrative apo dokument komunikimi.

Dokumenti i drejtohet në radhë të parë qeverisë, administratës dhe familjes sonë politike, por parimet dhe mekanizmat e tij duhet të përballen edhe me publikun, komunitetet profesionale, shoqërinë civile, universitetet dhe brezin e ri. Zbatimi i tij nuk matet nga miratimi i tekstit, po nga ndryshimi i mënyrës si merren, shpjegohen, zbatohen dhe korrigjohen vendimet.

Instrumentet e propozuara nuk u mbivendosen roleve të institucioneve. Konsultimi publik, vlerësimi i ndikimit rregullator dhe planet e performancës ekzistojnë tashmë. BESA i bashkon në një standard të vetëm besueshmërie dhe kërkon që çdo detyrim i ri të zëvendësojë, bashkojë ose thjeshtojë një procedurë ekzistuese.

Një mësim.

Një fillim i ri.

Një ditë, një kryetar bashkie ishte shumë i acaruar me një grup njerëzish që i kishin dalë në një lloj proteste për një çështje komunitare. “I kam gjetur në llum. S’kishin rrugë, s’kishin ndriçim, vetëm gropa, ferra, plehra. I bëra me rrugë, me drita, me pemë, edhe stola u vura. Po janë mosmirënjohës.”

PJESA E PARË

Themeli i besimit

I.1 Paradoksi i suksesit

Ekziston një ligj i pashkruar që shoqëron zhvillimin e çdo vendi. Sa më shumë ecën përpara një shoqëri, aq më pak ajo gjykon për çka është arritur dhe funksionon, e aq më shumë ajo fokusohet tek çka mungon dhe nuk funksionon. Ky është paradoksi i suksesit.

Në fazat e hershme të zhvillimit, qytetarët e vlerësojnë shtetin nga aftësia për të zgjidhur mungesat më kritike. Një rrugë e re, një shkollë e rindërtuar, një spital me pajisje të reja, disa orë më shumë energji elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm apo një reformë e shumëpritur janë ngjarje që përjetohen si ndryshime jetësore dhe perceptohen si fitore kolektive. Por me zgjatjen e zinxhirit të këtyre ndryshimeve dhe fitoreve, vjen transformimi që ndryshon edhe perceptimin: çka deri dje ishte arritje, bëhet standard. Çka deri dje ishte lajm, bëhet pritshmëri. Dhe çka deri dje ishte përjashtim, bëhet detyrim. Ky është impakti i zhvillimit, dhe prandaj rritja e pritshmërive nuk duhet parë si krizë e qeverisjes, po si prova më bindëse se vendi ka ndryshuar, e bashkë me të edhe shoqëria ka ndryshuar.

Qytetari që ka më shumë se dje, është një qytetar më i pakënaqur. Pikërisht pse ai sot jeton më mirë se dje, beson po ashtu se vendi i tij është në gjendje të bëjë shumë më shumë se bën sot. Në këtë kuptim, pritshmëritë janë një kapital i paçmuar, sepse ato janë forma më domethënëse e besimit tek e ardhmja. Ato rriten vetëm aty ku sundon bindja se përparimi më i madh e më i shpejtë është i mundur.

Protesta e pritshmërive nuk mund dhe nuk duhet luftuar.
Duhet kuptuar dhe kthyer në energji për përmirësim.

I.2 Nga mungesa te cilësia

Në vitin 2013, Shqipëria ishte ende një vend ku politika përballej, mbi të gjitha, me mungesat. Shembëlltyra e investimeve ishin rrugët e lëna rrugëve, sepse mungonin paratë. Shembëlltyra e rendit publik ishin mbi 100 të vrarët çdo vit. Shembëlltyra e shërbimit shëndetësor ishin korridoret e spitaleve ku mungonte çdo rregull dhe dhomat ku mungonte ngrohja, uji, ilaçet, madje edhe çarçafët e batanijet vinin nga shtëpitë e pacientëve. Shembëlltyra e shtetit ishte mungesa.

Në atë fazë, misioni ynë ishte i qartë dhe, sado i vështirë, ishte sidoqoftë më i thjeshtë se sa sot: ndërtimi i një Shqipërie tjetër mbi rrënojat e kudondodhura të Shqipërisë së vjetër. Çdo investim i ri, sado i vogël, ishte përgjigje ndaj një mungese konkrete dhe aspak të vogël për njerëzit që e përfitonin. Çdo shesh i rindërtuar mbushte një boshllëk të madh në jetën e një qyteti. Çdo reformë e realizuar mbyllte një hendek drejt të ardhmes.

Por kur rruga e zhvillimit zgjatet e gjërat fillojnë të zënë vendet e tyre, sfida nuk është më vetëm të shtosh dhe të zgjerosh në boshllëk, po të përmirësosh cilësinë dhe të rrisësh standardet. Sepse qytetarët nuk jetojnë më vetëm me të rejat e frontit të ndërtimit të Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, po jetojnë në radhë të parë me përvojën e përditshme në Shqipërinë tjetër që tanimë kemi ndërtuar. Jetojnë me mënyrën si funksionon shteti, i cili deri dje mungonte thuajse fare, po sot nuk ia tolerojnë dot më asnjë mungesë. Me gatishmërinë dhe efikasitetin e administratës, e cila sot nuk të lë më në radhë me orë të tëra, po kjo s’mjafton më që t’ia falin kusuret e tjera, paçka se 95% e shërbimeve ofrohen online. Me mirëmbajtjen e hapësirës publike, e cila sot nuk ka asnjë krahasim të mundshëm me dje, po pikërisht për këtë arsye qytetarët nuk ia durojnë dot më asnjë tog të pahequr me plehra apo copë të mbetur me ferra.

Në këtë fazë, cilësia e përvojës është po aq e rëndësishme sa vetë investimi. Një park i mirëmbajtur ka po aq rëndësi sa ndërtimi i një të riu. Një rrugë e mirëmbajtur ka po aq rëndësi sa inaugurimi i një rruge të re. Një shkollë që funksionon mirë ka ende më shumë vlerë sesa një shkollë që ngrihet e re fizikisht. Ky është ndryshimi që karakterizon fazën e katërt të zhvillimit. Qytetarët nuk kërkojnë vetëm gjëra të reja nga shteti. Ata kërkojnë një shtet më të mirë në çdo hap.

I.3 Nga shteti që ndërton te shteti që kujdeset

Për një kohë të gjatë, suksesi i qeverisjes është matur kryesisht nga aftësia për të realizuar projekte të shumëpritura prej vitesh. Sa rrugë u ndërtuan. Sa shkolla të reja. Sa spitale u rindërtuan. Sa investime të huaja u tërhoqën. Këta tregues të rëndësishëm nuk mjaftojnë më. Sepse qytetarit nuk i hyjnë më në sy, pasi sytë e tij kërkojnë përtej bilancit të punëve të bëra, aty ku nis mirëmbajtja, ku matet cilësia dhe ku provohet serioziteti i institucioneve.

Aftësia për t’u kujdesur për detajet nuk është funksion dytësor i administratës, po funksioni që e bën zhvillimin të qëndrueshëm. Një vend që ndërton shumë dhe mirëmban pak, konsumon kapitalin që krijon. Një vend që ndërton dhe kujdeset, shumëfishon vlerën e çdo investimi.

Kthesa e mandatit të katërt është edhe kalimi nga logjika e ndërtimit, te kultura e kujdesit. Nga investimi si ngjarje, te përkujdesja si standard. Nga miratimi i një ligji, te përvoja e përditshme e qytetarit lidhur me ligjshmërinë. Ky është transformimi që do të përcaktojë dekadën e ardhshme të zhvillimit shqiptar. Sepse tanimë, qytetarët nuk e gjykojnë shtetin vetëm nga ato që ndërton dhe nga ligjet që miraton, po në radhë të parë nga mënyra se si kujdeset për çka ka ndërtuar e ligjëruar.

I.4 Besimi si kapitali i ri kombëtar

Demokracitë ndërtohen me kapital njerëzor e financiar, po mbështeten mbi kapitalin e besimit i cili mblidhet me shumë vështirësi dhe avullon shumë kollaj. Ai nuk figuron në bilancet e punëve të shtetit. Nuk matet në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Nuk shfaqet në statistikat e performancës fiskale, ekonomike apo sociale të qeverisë. Por megjithatë, ai ka fjalën e fundit mbi suksesin ose dështimin e pothuajse çdo politike publike.

Kur qytetarët kanë besim, kostot e zhvillimit bien. Reformat zbatohen më shpejt. Konfliktet zgjidhen më lehtë. Investimet rriten më shumë. Bashkëpunimi bëhet më i rrjedhshëm. Kur besimi bie, kostot rriten. Reformat zvarriten. Tensionet shtohen. Investimet ulen. Bashkëpunimi ndërlikohet.

Në këtë fazë të re, besimi duhet trajtuar si kapital i ri kombëtar. Nëse qeveria e administron me të njëjtin seriozitet që administron financat publike, ka kuptuar thelbin e fazës së re dhe ka rritur mundësitë e suksesit. Nëse e merr të mirëqenë, e konsumon pikërisht kur i nevojitet më shumë.

I.5 Katër fazat e shtetndërtimit europian

Një shtet modern për tryezën e Europës së Bashkuar nuk ndërtohet brenda një mandati. As brenda një dekade. Dhe fatkeqësisht, Shqipëria humbi shumë kohë me tranzicionin e saj kaotik, unikal në llojin e vet për nga vrazhdësia, krahasimisht me vendet e tjera që dolën nga perdja e hekurt. Mjafton të kujtojmë shembjen shkatërrimtare të piramidave, simbol i tranzicionit të kuturushëm, ekskluzivisht shqiptar.

MANDATI I PARË

Rikthimi i shtetit në detyrë. Pas një periudhe çfilitëse dobësish institucionale dhe angazhimi të përgjithshëm, prioriteti ishte rivendosja e autoritetit të shtetit, rikthimi i rendit e sigurisë, ripërtëritja e financave publike. Nisja e reformës në drejtësi, e luftës kundër katrahurës institucionale e kriminalitetit kapilar, si edhe hedhja e themeleve të një administrate publike me standarde ligjore europiane, shënuan rrugën e re të Shqipërisë.

MANDATI I DYTË

Thellimi i transformimit institucional. U çuan përpara reformat strukturore. U përmirësuan ndjeshëm shërbimet publike. U përshpejtua digjitalizimi. U ngritën strukturat e reja të pushtetit të drejtësisë dhe u shtua një krah i munguar i shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendi u sprovua nga një tërmet shkatërrimtar e një pandemi globale, dhe ia doli me dinjitet e sukses të dyja sprovave.

MANDATI I TRETË

Dalja e fryteve të reformave. Transformimi ekonomik dhe territorial u bë i prekshëm. Vendi ndryshoi fytyrë. U rilindën qytetet. U zgjerua infrastruktura. Turizmi u bë motor i ri i ekonomisë. Leku u forcua. Borxhi publik ra në nivele historike. Shqipëria fitoi vetëbesim dhe respekt ndërkombëtar. Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian u hap plotësisht.

MANDATI I KATËRT

Fuqizimi i besimit. Jo përsëritje e të tretit me thjesht më shumë projekte, investime e statistika pozitive, po ndërtimi i kapacitetit të qeverisjes për të prodhuar besim: nga institucionet që vetëm administrojnë, te institucionet që dëgjojnë, shpjegojnë, kujdesen dhe korrigjojnë.

Por çdo transformim i suksesshëm krijon një realitet të ri. Dhe çdo realitet i ri kërkon një mënyrë të re qeverisjeje. Prandaj mandati i katërt nuk mund të jetë përsëritje e të tretit, me thjesht më shumë projekte, më shumë investime, më shumë statistika pozitive. Jo sepse rezultatet nuk kanë më rëndësi, përkundrazi, pa to nuk shkohet asgjëkundi, po sepse falë rezultateve ka ndryshuar optika e gjykimit.

Bulevardi i flamingove na e vuri përpara syve, cullak, faktin e papritur se nga kjo pikë e tutje qytetarët nuk do të vlerësojnë vetëm atë që bëjmë. Madje çfarë bëjmë do ta vlerësojnë gjithnjë e më pak, sepse do ta marrin të mirëqenë gjithnjë e më shumë. Ata do të na vlerësojnë me sy tjetër të vëmendshëm për mënyrën se si i bëjmë gjërat dhe nuk do të na kursejnë fare, për asgjë, sado të vogël, që nuk e bëjmë aq mirë sa duhet për këtë fazë të re. Për ta nuk mjafton më sa thjesht investojmë, po pse, si, ku investojmë; as thjesht sa mirë i themi gjërat, po në radhë të parë sa dëgjojmë, si shpjegojmë, reagojmë, reflektojmë. E mbi të gjitha, sa dëgjimi, shpjegimi, reagimi e reflektimi do të kthehen në garanci institucionale për ta, në raport me qeverinë e me shtetin.

Ky nuk është vetëm një ndryshim i madh. Kjo është një sprovë e madhe. Sepse sfida kryesore nuk është më mungesa e zhvillimit, po është natyra dhe cilësia e marrëdhënies së qytetarit me zhvillimin.

Nëse në tre mandatet e para ndërtuam kapacitetin për të transformuar vendin, në mandatin e katërt duhet të ndërtojmë kapacitetin e qeverisjes për të prodhuar besim: nga institucionet që vetëm administrojnë, te institucionet që dëgjojnë, shpjegojnë, kujdesen dhe korrigjojnë. Në thelb, kjo është faza e fillimit të pjekurisë demokratike.

I.6 Besa si themel i shtetit modern

Çdo shoqëri i ndërton marrëdhëniet e saj me shtetin mbi një ide themelore. Padiskutim që Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian po rritet hap pas hapi mbi sundimin e ligjit, lirinë e të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin e hapur me të tjerët. Por këtu flasim për një ide themelore në mbështetje të prodhimit të besimit mes qytetarit dhe institucioneve. Dhe këtë Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë. Mjafton të rishpikë, në funksion të rritjes së pjekurisë demokratike, një ide themelore që gëzon edhe njohjen, edhe respektin e shqiptarëve, përtej çdo dallimi.

Për shekuj me radhë, ideja e Besës u ka mundësuar shqiptarëve të ndërtojnë marrëdhënie besimi edhe në mungesë të institucioneve, sepse Besa nuk mbeti vetëm një premtim, po u bë garancia se fjala nuk do të ndahej nga veprimi. Kështu Besa u kthye në një marrëveshje të mbrojtur nga përgjegjësia e pashmangshme e palëve.

Sot sfida është tjetër, natyrisht, dhe nuk bëhet fjalë hiçfare për të zëvendësuar shtetin me Besën, po për të pasur parasysh logjikën e Besës në marrëdhënien mes shtetit, qeverisë, administratës dhe qytetarit. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që besueshmëria te përgjegjësia e palëve të kthehet hap pas hapi në cilësi institucionale. Një shtet i drejtë me njerëzit. Një administratë që respekton afatet. Një shërbim publik që sillet me dinjitet. Një institucion që pranon gabimin dhe garanton reagimin. Një qeveri që e ndan vendimmarrjen me publikun. Një bashki që kujdeset për atë që ndërton. Një politikë që i bën njerëzit të ndihen të dëgjuar dhe të informuar.

Kjo është Besa e kësaj faze të katërt, jo si nostalgji dhe as si truk folklorik, por si standard modern marrëdhënieje me publikun e me çdo qytetar. Sepse, tekembramja, besimi nuk ndërtohet nga fjalët, po nga përputhja e vazhdueshme mes tyre dhe veprave. Pikërisht ky është kuptimi metodik i Besës për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Besimi nuk ndërtohet nga fjalët,
po nga përputhja e vazhdueshme
mes tyre dhe veprave.

NGA PARIMET TE AFTËSITË

Qeverisja që prodhon besim

Në këtë fazë, besimi nuk është zbukurim i rezultateve, po kusht për t’i prodhuar dhe bërë të qëndrueshme ato. Reformat zbatohen më mirë, konfliktet zgjidhen më shpejt dhe investimet fitojnë më shumë siguri kur qytetarët besojnë se vendimmarrja është e drejtë, e kuptueshme dhe e parashikueshme.

Ky dokument flet për qeverinë kur bëhet fjalë për përgjegjësinë politike; për ekzekutivin kur bëhet fjalë për koordinimin dhe zbatimin; për administratën kur bëhet fjalë për shërbimet dhe proceset; për institucionet publike kur bëhet fjalë për përvojën konkrete të qytetarit; dhe për shtetin kur bëhet fjalë për vazhdimësinë dhe arkitekturën e përbashkët që u mbetet të gjithëve.

Qeveritë kanë mandat; shteti ka vazhdimësi. Qeveritë propozojnë dhe zbatojnë; shteti mbart dhe mbetet. Prandaj kapacitetet që propozon BESA nuk janë pronë e kësaj qeverie. Ato janë investim në një shtet që do t’u shërbejë njësoj edhe atyre që sot janë në opozitë, edhe atyre që do të qeverisin nesër. Një qeveri që ndërton kapacitete të përdorshme edhe nga pasardhësit e saj, forcon shtetin pa zgjeruar pushtetin.

II.1 Aftësia për të dëgjuar: nga reagimi te kuptimi

Dëgjimi nuk është akt mirësjelljeje dhe as moment komunikimi. Është funksion institucional. Shoqëria flet çdo ditë përmes kërkesave, ankesave, përdorimit të shërbimeve, mediave, organizatave, universiteteve, sipërmarrjes dhe çdo ndërveprimi me administratën. Këto nuk janë thjesht informacione të shpërndara; janë sinjale që duhen lidhur përpara se të shndërrohen në probleme.

Pakënaqësinë rrallë e krijon një vendim i vetëm. Zakonisht ajo grumbullohet në një kërkesë pa përgjigje, një shërbim të përkeqësuar, një investim të pamirëmbajtur, një komunitet të padëgjuar, një alarm eksperti të shpërfillur. Vendimi i fundit është shpesh vetëm shkëndija.

Prandaj protesta qytetare duhet lexuar edhe si provë e mundshme se dëgjimi institucional ka dështuar më herët, pa mohuar se ajo mund të shprehë një kundërshti reale interesi, vlere ose vizioni. Qeverisja që mëson vetëm nga protestat është gjithmonë vonë. Qeverisja që mëson nga sinjalet ka mundësi të veprojë në kohë.

Standardi i kësaj aftësie është Vlerësimi i Dëgjesës. Ai nuk kërkon miratim dhe nuk e kthen vendimmarrjen në referendum. Dëgjimi nuk e zëvendëson përgjegjësinë për të vendosur; e bën vendimin më të informuar dhe më të besueshëm.

II.2 Aftësia për të provuar: nga intuita te evidenca

Në një shtet modern, vendimmarrja nuk mund të mbështetet vetëm mbi përvojën, intuitën apo gjykimin politik. Ajo duhet të mbështetet mbi evidencë. Përvoja mbetet e çmuar, intuita e domosdoshme dhe gjykimi politik i pazëvendësueshëm, por që të treja bashkë nuk mjaftojnë më. Sepse sa më komplekse bëhet shoqëria dhe sa më shumë zhvillimi i rrit pritshmëritë, aq më e madhe bëhet nevoja që çdo politikë publike të mbështetet mbi fakte, analiza dhe prova.

Vendimet më të mira nuk janë ato që thjesht merren më shpejt, po janë ato që merren mbi një evidencë të plotë. Ky është edhe një ndryshim i rëndësishëm midis administrimit të një procesi dhe qeverisjes së një programi. Administrimi është kyç për zbatimin e proceseve, po sado i mirë të jetë nuk e zëvendëson dot qeverisjen, e cila zotëron kuptimin e programeve dhe sa më shumë realizon aq më shumë duhet të përpiqet të kuptojë çfarë duhet bërë më tutje, e si duhet bërë e më mirë.

Kjo fazë e re ka ardhur me domosdoshmërinë që vendimmarrja të bëhet më ndërdisiplinore, më analitike, më e verifikueshme, sepse tanimë çdo vendim prodhon pasoja që shtrihen përtej sektorit ku është marrë. Prandaj për çdo politikë publike duhet të jemi në gjendje t’u përgjigjemi katër pyetjeve themelore.

Çfarë problemi po zgjidhim?

Çfarë provash tregojnë se ky problem e meriton pikërisht tani vëmendjen tonë?

Pse kjo është zgjidhja më e mirë ndër alternativat e mundshme?

Si do të matet suksesi i kësaj politike?

Nëse një politikë nuk mund t’u përgjigjet të paktën këtyre pyetjeve, ajo në rastin më të mirë nuk është ende gati për t’u zbatuar.

Në këtë fazë të zhvillimit, evidenca nuk mund të jetë më një letër mbështetëse e vendimmarrjes, po është kushti i saj. Sepse një shtet i besueshëm nuk është ai që ka gjithmonë të drejtë ngase ka në dorë edhe gurin edhe arrën, po është ai që di të provojë pse vendimi është i drejtë, të masë çfarë prodhon vendimmarrja e tij dhe të korrigjojë çfarë nuk funksionon me një vendimmarrje.

II.3 Aftësia për të shpjeguar: nga komunikimi te mirëinformimi

Në këtë fazë të re nuk mjafton marrja e vendimit të duhur, nëse nuk je në gjendje ta shpjegosh atë, dhe jo sepse çdo qytetar do të jetë dakord me të, por sepse çdo qytetar ka të drejtë të jetë i mirëinformuar për një vendim që i intereson. Për shumë kohë, komunikimi institucional është trajtuar si faza e fundit e qeverisjes. Vendimi merret. Konferenca zhvillohet. Njoftimi publikohet. Dhe procesi konsiderohet i mbyllur. Ky model nuk funksionon më. Në shoqërinë e sotme të informacion-dizinformacionit, mungesa e shpjegimit mbushet menjëherë nga interpretimet dhe interpretimet, kur nuk mbështeten mbi fakte, shndërrohen në motive keqkuptimi, agjitimi, mosbesimi.

Prandaj komunikimi në këtë fazë të zhvillimit dhe në këtë kohë të re ku ka hyrë bota e informacionit, nuk është më një aktivitet mbështetës, po është element i qenësishëm i integritetit të qeverisjes.

Për vite me radhë kemi besuar se transparenca ishte publikim. Publiko vendimin. Publiko procedurën. Publiko të dhënat. Por jo, jo më. Dhe kjo jo vetëm sepse tanimë, hapësira e informimit është tejet e mbingarkuar nga gjithfarë informacion-dizinformacionesh, po sepse transparenca duhet të lidhet pikërisht me nevojën jetike të kësaj faze të zhvillimit, besimin. Ajo duhet t’u përgjigjet jo vetëm çfarë, po pse dhe si, sepse pa këto përgjigje, transparenca mbetet një informacion i papërfillur i cili humbet në lumenjtë e rrëmbyer të informim-dizinformimit.

Kësisoj, komunikimi duhet të fillojë përpara vendimit, jo pas tij. Qytetarët duhet të informohen se cili problem po analizohet, ku është konstatuar nevoja për ndërhyrje, cilat alternativa po shqyrtohen dhe çfarë dilemash ekzistojnë. Kjo qasje nuk e dobëson assesi autoritetin e shtetit dhe një qeveri e vetëdijshme për përgjegjësitë e për aftësitë e veta, nuk duhet t’i trembet kësaj qasjeje, e cila në të vërtetë e forcon shtetin e vetë qeverinë. Sepse një qeveri që shpjegon procesin krijon më shumë besim sesa një qeveri që komunikon vetëm rezultatin.

Por kjo kërkon me patjetër një tjetër metodë dhe njësi matëse për komunikimin institucional, i cili nuk mund të vlerësohet nga numri i deklaratave, postimeve, konferencave për shtyp apo inspektimeve në terren.

Matja duhet të niset nga një pyetje shumë e thjeshtë: a e dëgjoi qytetari dhe a u informua sa duhet pse u mor ky vendim? Nëse përgjigjja është “po”, komunikimi e ka përmbushur misionin e tij. Nëse përgjigjja është “jo”, problemi nuk është qytetari po komunikimi.

II.4 Aftësia për t’u kujdesur: nga investimi te përvoja e qytetarit

E thamë edhe më lart, për shumë vite, suksesi i qeverisjes është matur nga ajo që ndërtohej. Një rrugë e re. Një shkollë e re. Një park i ri. Një spital i ri. Ky ishte standardi i një vendi që duhej të kapërcente mungesat. Por Shqipëria e sotme përballet me një sfidë tjetër. Sfida nuk është vetëm të ndërtojë. Është të kujdeset. Sepse qytetari nuk jeton më me adresimin e një mungese, po me përvojën e përditshme ku toleranca e tij nga çfarëdo mungese po zerohet me shpejtësi. Ky është standardi i një vendi që duhet të përballet me pritshmëritë.

Në këtë kontekst termi “mirëmbajtje” nuk duhet lexuar teknikisht, po politikisht. Një park i papastër e një rrugë e dëmtuar, deri tek një shërbim i përkeqësuar e një kërkesë apo ankesë e pashqyrtuar, nuk janë më vetëm mangësi administrative, po sinjale të dobësimit të besimit. Qytetari nuk e ndan më reformën apo investimin nga qëndrueshmëria e mirëmbajtjes, sepse mirëmbajtja është tanimë vëmendje, kujdes, respekt dhe për qytetarin kjo është përvoja e marrëdhënies së shtetit me të.

Prandaj jo vetëm çdo aset publik duhet të ketë standarde të mirëmbajtjes, afate të detyrueshme ndërhyrjeje, përgjegjësi të qarta institucionale, tregues të matshëm të cilësisë dhe raportim periodik mbi gjendjen e tij, po edhe çdo shërbim publik duhet të ketë standardet e përvojës së qytetarit.

Mirëmbajtja si përkujdesje e vëmendje e shtetit, ndaj çdo aseti apo shërbimi publik, nuk mund të mbetet përgjegjësi e paqartë. Duhet të bëhet standard i detyrueshëm i administrimit publik. Dhe përvoja e qytetarit, nga trotuari ku ecën te shërbimi apo përgjigjja që kërkon, duhet të bëhet tregues i performancës së çdo institucioni.

Ky është ndryshimi më i vështirë po edhe më domethënës kulturor që kjo fazë e re e zhvillimit kërkon nga shteti dhe njëkohësisht, mospërmbushja e kësaj kërkese është kërcënimi më i madh politik për shtetin e për vetë qëndrueshmërinë e zhvillimit të Shqipërisë. Sepse shteti nuk mund ta forcojë më besimin vetëm duke ndërtuar, përkundrazi, duke u fokusuar vetëm tek ndërtimi ai rrezikon ta humbasë besimin, i cili duhet fituar përditë, duke mirëmbajtur çka është ndërtuar dhe duke u kujdesur për çka qytetarët kanë kërkuar atë ditë në dyert e shtetit.

II.5 Aftësia për të matur: nga aktiviteti te rezultati

Një shtet modern nuk mat vetëm atë që bën, po mat mbi të gjitha atë që ndryshon. Për shumë kohë shteti ynë ka matur aktivitetin: sa ligje u miratuan në Kuvend, sa vendime u morën nga qeveria, sa të ardhura dhe projekte u realizuan, sa shërbime u dhanë e me radhë.

Këta janë patjetër tregues të rëndësishëm, por nuk na tregojnë domosdoshmërisht se sa jeta e qytetarëve është përmirësuar, sepse e marrin të mirëqenë përmirësimin. Por në fazën e re kur janë pritshmëritë ato që i japin tonin vlerësimit të qytetarit, matja duhet të zhvendoset nga volumi i aktivitetit të shtetit te ndikimi në jetën e qytetarëve ose e thënë ndryshe, nga prodhimi institucional te përvoja e qytetarit.

Çdo politikë publike duhet të ketë objektiva të qarta, tregues të matshëm, afate të përcaktuara, mekanizma vlerësimi, sepse pa to suksesi mbetet çështje perceptimi, jo fakt i mbështetur në analizë dhe provë. Kështu që secili institucion duhet të mësojë t’u përgjigjet së paku katër pyetjeve:

Çfarë synuam të ndryshonim?

Çfarë ndryshoi realisht?

Si e matëm ndryshimin?

Çfarë mësuam prej tij?

MODELI OPERACIONAL: NGA REAGIMI TE KUPTIMI

Për shumë vite, administrata shqiptare është organizuar kryesisht për të reaguar. Problemi shfaqet, rritet, bëhet publik dhe pastaj institucionet vihen në lëvizje. Ky model nuk mjafton më në një shoqëri ku informacioni dhe dizinformacioni qarkullojnë në kohë reale, perceptimet ndryshojnë brenda orës dhe një sinjal i vogël mund të kthehet shpejt në krizë.

Prandaj modeli i ri nuk fillon me reagimin, po me kuptimin. Qeveria nuk mund të presë protestën për të dëgjuar, refuzimin për të shpjeguar dhe krizën për të vepruar. Barra kalon te ekzekutivi: të dallojë problemin kur është ende i zgjidhshëm dhe të ndërhyjë përpara se kostoja t’u bjerë qytetarëve.

SHTATË AFTËSITË E QEVERISJES SË BESUESHME

Dëgjimi
institucionet kuptojnë shoqërinë përpara se pakënaqësia të bëhet krizë.

Prova
çdo vendim strategjik mbështetet mbi evidencë të verifikueshme.

Shpjegimi
transparenca nuk mbaron te publikimi, po arrin te kuptimi.

Kujdesi
mirëmbajtja dhe cilësia e shërbimit peshojnë sa investimi i ri.

Matja
administrata mat jo vetëm aktivitetin, po ndryshimin në jetën e qytetarit.

Mësimi
gabimi kthehet në njohuri dhe nuk përsëritet si zakon institucional.

Parashikimi
rreziku dallohet kur është ende sinjal dhe jo pasi është bërë krizë.

CIKLI I BESIMIT

Këto aftësi formojnë një cikël të vetëm: shoqëria dërgon sinjale; institucionet dëgjojnë dhe analizojnë; qeveria vendos dhe shpjegon; administrata zbaton; rezultatet maten; mësimet ruhen; rreziqet e reja parashikohen; dhe cikli rikthehet te dëgjimi.

Duke qenë se një dobësi më vete, goxha e madhe, e shtetit tonë është kujtesa institucionale, administratat shpesh sillen e mësojnë si individë, jo si institucione dhe kur largohet një drejtues, largohet edhe përvoja e tij. Kur ndryshon një ekip, humbet edhe kujtesa e mësimeve të marra prej tij. Kur ikën një qeveri ikën edhe një pjesë e rëndësishme e kujtesës së krijuar në vite nga kontaktet, komunikimet, diskutimet, këndvështrimet, kundërshtitë dhe kështu, përvoja njerëzore mbetet pa u kthyer në eksperiencë institucionale. Prandaj çdo reformë, projekt, krizë, inovacion, duhet të lërë pas jo vetëm rezultate, por edhe njohuri. Sepse përvoja bëhet kapital vetëm kur ndahet.

Kalimi nga kultura e fajësimit te kultura e përgjegjësisë është një zhvendosje sa sfiduese, aq edhe e domosdoshme, sepse aty ku kërkohen vetëm fajtorë prodhohet frikë, ndërkohë që për të prodhuar përmirësim na duhet përgjegjësi dhe përgjegjësia bëhet më e fortë kur mbështetet mbi përballje me faktet, analizë dhe reagim ndaj gabimit. Qytetarët nuk presin që shteti të jetë i pagabueshëm, po që ai të mos përsërisë të njëjtat gabime dhe besimi i tyre nuk forcohet duke u bërë bisht gabimeve, po duke u përballur me to.

II.7 Aftësia për të parashikuar: nga administrimi i krizave te parandalimi i tyre

Shumica e krizave nuk lindin papritur. Ato ndërtohen gradualisht. Fillojnë si sinjale të dobëta, vazhdojnë si probleme të shpërndara, bëhen shqetësime të përsëritura dhe në fund bëhen një lëmsh i mbarsur me një krizë. Kur kriza bëhet e dukshme mbetet vetëm administrimi i pasojave, po kjo fazë e re nuk e pranon më një shtet që kufizohet te administrimi i krizave. Prandaj duhet krijuar aftësia për t’i dalluar krizat potenciale përpara se të shpërthejnë.

Kjo aftësi nuk është intuitë dhe as hamendësim, po sistem informacioni, analize dhe përvoje, për të identifikuar problemet përpara se sa ato të bëhen shqetësime, të cilat pastaj grumbullohen në një lëmsh të mbarsur me krizën e radhës.

Çdo institucion duhet të zhvillojë aftësinë për të dalluar tendencat që po ndryshojnë shoqërinë, problemet që po grumbullohen, konfliktet që po formohen, pritshmëritë që po rriten dhe rreziqet që kërkojnë ndërhyrje të hershme.

Ne bëjmë plane po e ardhmja është ajo që ndodh dhe kur shpesh, një ngjarje na i përmbys planet e na imponon një plan të ri. Prandaj planifikimi strategjik duhet të mbështetet mbi skenarë, jo për të parashikuar se çfarë do të ndodhë, por për të parashikuar se si do të veprohet nëse ndodh diçka jashtë planit të bërë. Shtetet që mendojnë me skenarë reagojnë jo vetëm më shpejt, po edhe më drejtë. Kriza që nuk ndodh sepse është parandaluar nuk bën lajm, por ajo është suksesi më i madh i një qeverisjeje të mirë dhe parashikimi është hallka që i bën plotësisht funksionale të gjitha aftësitë e tjera.

Një shtet që dëgjon mëson. Një shtet që mëson kupton. Një shtet që kupton parashikon. Dhe një shtet që parashikon ndërton besim, sepse arrin të veprojë përpara duke mos i lënë qytetarët vetëm përballë kostove të krizës. Ata sot duan një shtet që nuk qeveris vetëm të tashmen, po edhe është i besueshëm në shkallën e përgatitjes për të ardhmen.

II.8 Nga aftësitë te kultura e re e qeverisjes

Një qeverisje nuk e bëjnë më të mirë në sytë e publikut aftësitë që ka në vetvete, po kultura me të cilën ato përdoren në funksion të qytetarit. Një institucion mund të ketë procedurat më të mira, teknologjinë më të re, njerëzit më të përgatitur dhe megjithatë të mos prodhojë besim, sepse besimi nuk lind nga organizimi formal po nga mënyra se si institucioni sillet çdo ditë me qytetarin.

Prandaj transformimi që propozon ky dokument dhe problemi themelor që ngre nuk është vetëm institucional, po është mbi të gjitha kulturor. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një mënyrë më të mirë administrimi të brendshëm, po për një marrëdhënie të re midis qeverisë dhe qytetarëve, ku autoriteti nuk mbështetet vetëm te ligji po mbi të gjitha te besimi dhe ku shkalla e ambicies qeverisëse nuk matet me sa zbatohet detyrimi për respektimin e rregullave, po me sa bashkëpunim krijohet, përmes mirëinformimit, dëgjimit dhe kujdesit për përvojën e qytetarit.

Është e qartë se qytetarët nuk e gjykojnë më qeverinë vetëm për çfarë ndërton, ndryshon e përmirëson, po gjithnjë e më shumë për sa ajo e njeh përvojën e tyre të përditshme dhe si kujdeset që e përditshmja e tyre të jetë një përvojë më e mirë.

Kjo është sprova e re e mandatit të katërt, kthesa nga transformimi i vendit te fuqizimi i besimit dhe metoda BESA vjen si nevojë e një udhërrëfyesi përmes të cilit duhet të matet çdo politikë, çdo reformë e vendim i qeverisë dhe çdo kontribut i institucioneve në përmirësimin e përvojës së qytetarit.

NGA PARIMET TE ZBATIMI

Metoda BESA

Parimet e qeverisjes nuk maten nga sa mirë janë shkruar, po nga si e ndikojnë mënyrën e qeverisjes. Prandaj BESA, e thirrur në ndihmë si ide e riaktualizuar, kërkon mekanizmat që i kthejnë parimet në praktikë. Jo procedura të reja burokratike, po instrumente të një kulture të re qeverisëse. Jo rregulla të reja, po ndryshim në mënyrën se si merren vendimet, si dëgjohet qytetari, si provohet një politikë, si shpjegohet një reformë, si matet rezultati, si mësohet nga përvoja dhe në fund si parandalohet një krizë.

Duhet nënvizuar se asnjëri prej këtyre instrumenteve nuk është një shpikje. Secili prej tyre vjen këtu nga praktika të provuara të demokracive që e kanë përshkuar më parë këtë rrugë, natyrisht përshtatur për realitetin shqiptar, me institucionet që ekzistojnë, mbi legjislacionin që ekziston dhe pa rritur kostot. Në fazën ku kemi hyrë qeverisja nuk ndryshon duke miratuar më shumë dokumente të reja, po duke krijuar disa zakone të reja. Pikërisht këtu fillon Metoda BESA.

Dhe një e vërtetë duhet thënë qysh këtu: pjesën më të madhe të këtyre instrumenteve ne i kemi tashmë në ligj. Ligji i konsultimit publik e kërkon dëgjesën. Vlerësimi i ndikimit rregullator e kërkon evidencën. Planet e performancës e kërkojnë matjen. Ajo që ka munguar nuk është baza ligjore, po mënyra si e kemi lexuar: i kemi parë këto detyrime me syrin e transparencës, si letra që plotësohen, dhe jo me syrin e besimit, si garanci që i jepet qytetarit. Pikërisht këtë kthesë bën Metoda BESA: i merr mekanizmat që ligji i ka dhe i vë të punojnë për besimin.

ARKITEKTURA E ZBATIMIT

Metoda BESA ka një arkitekturë të vetme: shtatë aftësi, shtatë mekanizma, një funksion koordinues dhe një platformë publike. Nuk krijon shtatë sisteme raportimi dhe as një varg institucionesh të reja.

BESA · DOKUMENT STRATEGJIK
25

Institucioni përgjegjës për politikën mbetet pronari i vendimit dhe i zbatimit.

Njësia BESA pranë funksionit ekzistues të planifikimit strategjik në Kryeministri koordinon standardet, lidh të dhënat dhe i paraqet qeverisë një panoramë të integruar. Ajo nuk merr kompetencat e ministrive, nuk merr vendime në vend të tyre dhe nuk krijon profilizim individual të qytetarëve.

Flamingo Mirror është ndërfaqja publike dygjuhëshe ku publikohen dosjet me interes të lartë publik: evidenca, dëgjesa, shpjegimi, afatet, zotimet dhe rezultatet, po ku ekspozohen edhe fakte e prova kundër dizinformimit e keqinformimit.

Barometri Kombëtar i Besimit është instrument i pavarur matjeje, jo strukturë qeveritare dhe jo matje popullariteti. Metodologjia, kampioni dhe të dhënat e agreguara publikohen; matësi nuk është i maturi.

Laboratori i Politikave Publike është mënyra e pilotimit të reformave kur prova në shkallë të vogël është e mundur dhe e dobishme; nuk është institucion më vete.

PROTOKOLLI I ZBATIMIT

Për çdo mekanizëm përcaktohen pesë elemente: institucioni përgjegjës, vendimi që e aktivizon, produkti ekzistues që zëvendëson ose plotëson, afati dhe mënyra e publikimit. Parimi është i prerë: çdo dokument i ri duhet të heqë, bashkojë ose zëvendësojë një detyrim ekzistues. Nëse thjesht i shtohet administratës, nuk është zbatuar Metoda BESA.

Zbatimi fillon vetëm me vendimet strategjike: projektligjet, vendimet e Këshillit të Ministrave me ndikim të drejtpërdrejtë e të gjerë, politikat mbi pronën publike dhe zonat e mbrojtura, investimet me interes të lartë publik dhe reformat kombëtare. Aktet rutinë, lejet e zakonshme dhe vendimet pa ndikim të gjerë përjashtohen, por ekspozohen vetëm kur bien pre e dizinformimit ose keqinformimit. Proporcionaliteti mbron njëkohësisht cilësinë dhe shpejtësinë.

KUFIRI SHOQËROR

Asnjë arkitekturë qeveritare nuk e zëvendëson dot indin ndërmjetësues të demokracisë: sindikatat, shoqatat profesionale, universitetet, organizatat, komunitetet dhe grupet qytetare. Në Shqipëri ky ind mbetet i dobët; prandaj konsultimi nuk mund të kufizohet te të njëjtët aktorë formalë. Panelet e qytetarëve, bisedat e strukturuara me njerëz të zakonshëm dhe përfshirja sistematike e komuniteteve profesionale e lokale bëhen pjesë e metodës. Qeveria nuk i krijon dhe nuk i kontrollon ndërmjetësit; u hap vend që të dëgjohen dhe të sfidojnë vendimmarrjen.

MEKANIZMI 1

Vlerësimi i Dëgjesës

Qëllimi. Çdo reformë apo vendim me ndikim të rëndësishëm duhet të kuptohet përpara se të miratohet dhe prandaj, për çdo reformë a vendim të tillë hartohet një Vlerësim i Dëgjesës, i cili bëhet pjesë e detyrueshme e dosjes së vendimmarrjes.

Përmbajtja. Vlerësimi përmbledh:

perceptimet kryesore të qytetarëve;
grupet më të prekura;
shqetësimet që përsëriten;
alternativat e propozuara gjatë dëgjesave; konfliktet e mundshme;
nivelin e besimit ndaj institucionit përgjegjës;
masat parandaluese të rekomanduara përpara hyrjes në fuqi.

Standardi. Ashtu si një reformë nuk miratohet pa analizë financiare dhe juridike, ajo nuk duhet të miratohet as pa një analizë të plotë të marrëdhënies së saj me qytetarët.

Ku mbështetet. Jo në një ligj të ri, po në ligjin ekzistues për konsultimin publik, i cili e kërkon tashmë dëgjesën për projektligjet dhe aktet me natyrë strategjike, por që zbatohet në mënyrë të pabarabartë dhe shpesh formale. “Vlerësimi i Dëgjesës” është standardi i ri i zbatimit të atij ligji, jo një procedurë paralele me të.

Është e qartë që tanimë nuk mjafton të maten vetëm rezultatet ekonomike dhe administrative, po duhet matur edhe besimi që ushqejnë institucionet, sepse fjala vjen dy institucione mund të kenë rezultate ekonomike e administrative të ngjashme dhe të prodhojnë nivele krejt të ndryshme besimi, pasi mënyra e sjelljes me qytetarët, koha e reagimit dhe cilësia e trajtimit të nevojave të tyre bëjnë një dallim esencial në përvojën e qytetarit, e kësisoj edhe në shkallën e besimit. Ja pse besimi duhet të bëhet tregues i performancës institucionale, jo vetëm objektiv politik.

Matja e besimit nuk është kontroll, as referencë ndëshkimore, po mësim, sepse një shtet nuk bëhet më i mirë thjesht duke punuar më shumë, po duke mësuar dhe kuptuar, me saktësi, çfarë funksionon për publikun dhe çfarë duhet ndryshuar për ta përmirësuar përvojën e qytetarit.

II.6 Aftësia për të mësuar: nga gabimi te përmirësimi

Asnjë shtet, asnjë qeveri e asnjë institucion, nuk arrin të marrë gjithmonë vendimet e duhura. Jo çdo reformë është e suksesshme dhe asnjë reformë nuk zbatohet në mënyrë të përsosur. Pagabueshmëria nuk është një virtyt që e ka gëzuar ndonjë shtet a institucion në historinë e njerëzimit dhe dallimi midis shteteve të forta dhe atyre të dobëta, qeverive të suksesshme e atyre të pasuksesshme, institucioneve funksionale e atyre jofunksionale, nuk qëndron te pagabueshmëria, por te mënyra se si reagojnë ndaj gabimeve të tyre. Shtetet e dobëta i fshehin gabimet, qeveritë e pasuksesshme i justifikojnë, institucionet jofunksionale i përsërisin. Shtetet e forta i analizojnë gabimet, qeveritë e suksesshme mësojnë prej tyre, institucionet funksionale ndërtojnë mekanizma që ato të mos përsëriten.

Në kulturën tradicionale të shtetit, po edhe të shoqërisë sonë, gabimi shihet si dështim. Prandaj shpesh fshihet, rëndom justifikohet dhe jo rrallë as nuk analizohet. Kështu në fakt, institucionet dhe vetë njerëzit humbasin mundësinë më të vlefshme për t’u përmirësuar. Në këtë fazë të re, gabimi nuk duhet parë as si fundi i botës, as si fundi i procesit, po si fillimi i një mësimi të ri.

MEKANIZMI 2

Dosja e Evidencës

Qëllimi. Çdo vendim strategjik duhet të mbështetet mbi prova të verifikueshme, jo vetëm mbi bindje. Për çdo reformë a vendimmarrje me ndikim të veçantë hartohet një “Dosje e Evidencës”, e cila shoqëron procesin e vendimmarrjes dhe publikohet bashkë me të.

Përmbajtja. Dosja përmbledh:

të dhënat që justifikojnë nevojën e reformës;
analizën krahasuese me praktikat më të mira ndërkombëtare;
alternativat e shqyrtuara dhe arsyet e përzgjedhjes; ndikimin ekonomik, shoqëror dhe institucional;
rreziqet e mundshme;
treguesit që do të përdoren për matjen e rezultateve.

Standardi. Një politikë që nuk u përgjigjet dot katër pyetjeve: çfarë problemi zgjidh, çfarë provash ka, pse kjo alternativë, si matet suksesi, nuk është ende gati për t’u zbatuar.

Ku mbështetet. Te vlerësimi i ndikimit rregullator, që ekziston tashmë në sistemin tonë dhe që sot shoqëron rreth gjysmën e ligjeve, shifër në rritje gjatë pesë viteve të fundit, por ende gjysmë. “Dosja e Evidencës” nuk është emër i ri për të njëjtën praktikë, po standardi i ri për praktikën ekzistuese. Nga gjysma sot, duhet të shkojmë te të gjitha reformat strategjike apo vendimmarrjet me ndikim të veçantë, me cilësi të auditueshme dhe me publikim të plotë.

Kufiri praktik. Thellësia e dosjes është në proporcion me peshën e vendimit: një reformë kombëtare kërkon dosje të plotë, një masë sektoriale kërkon dy faqe. Evidenca duhet t’i shërbejë qeverisë, qytetarit dhe vendimit, jo burokracisë.

PARIMI BESA

Vendimi që nuk provohet dot, nuk mbrohet dot.

Dosja e Evidencës. Vlerësim i pavarur i ndikimit mjedisor dhe ekonomik, me standarde ndërkombëtare dhe ekspertizë të jashtme të përzgjedhur përmes një procedure transparente. Publikohen kontratat, vendimmarrja dhe dokumentet vlerësuese në masën që lejon ligji, duke shpjeguar çdo kufizim. Asnjë vendim i ri i pakthyeshëm nuk merret përpara shqyrtimit të evidencës së plotë, përveçse kur një detyrim ligjor ose kontraktor kërkon ndryshe dhe kjo bëhet publike.

Memorandumi Shpjegues. Dokumenti i parë i shkurtër i Metodës BESA i kushtohet kësaj dosjeje: çfarë po vendoset, si, nga kush, me çfarë afatesh dhe si mund të ndiqet publikisht çdo hap.

Indeksi i Kujdesit. Vjosë-Narta regjistrohet si aseti i parë publik me standard kujdesi sipas kësaj metode, me gjendje të dokumentuar dhe përgjegjësi institucionale të qartë, pavarësisht se çfarë vendoset për projektin.

Paneli i Performancës. Çdo zotim publik i dhënë për këtë dosje regjistrohet me afat dhe status, i dukshëm për këdo. Fjala e dhënë për Nartë-Vjosën bëhet e kontrollueshme.

Rishikimi Pas Veprimit. Analizë pa paragjykim dhe pa kërkim ritual fajtorësh e mënyrës si u lexuan sinjalet përpara qershorit: çfarë u dëgjua, çfarë jo dhe pse. Procesi i mësimit nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet.

Paralajmërimi i Hershëm. Dosja Vjosë-Narta bëhet rast mësimor i sistemit: cilat sinjale ekzistonin, ku u ndërprenë, dhe çfarë duhet të kapë sistemi herën tjetër, kohë përpara se sa një problem të kthehet në një shqetësim dhe shqetësimi të bëhet bulevard.

MEKANIZMI 3

Memorandumi Shpjegues

Qëllimi. Çdo reformë duhet të jetë jo vetëm e drejtë, por edhe e kuptueshme. Për çdo politikë me ndikim të gjerë hartohet një Memorandum Shpjegues, i cili publikohet paralelisht me vendimmarrjen.

Përmbajtja. Memorandumi u përgjigjet pesë pyetjeve themelore:

Cili është problemi?

Pse nevojitet ky vendim?

Pse u zgjodh kjo zgjidhje?

Çfarë ndryshon për qytetarët?

Si do të matet rezultati?

Standardi. Pak faqe. Gjuhë e qartë, pa terminologji juridike. Publikohet të njëjtën ditë me vendimin, jo pasi të ketë lindur keqkuptimi. Komunikimi nuk fillon pasi merret vendimi. Fillon kur qytetarët kuptojnë arsyen e tij.

PARIMI BESA

Besimi nuk lind vetëm nga transparenca.
Lind nga kuptimi i informacionit.

MEKANIZMI 4

Indeksi i Kujdesit

Qëllimi. Çdo investim publik duhet të gjykohet jo vetëm nga ndërtimi, por edhe nga cilësia e mirëmbajtjes dhe e shërbimit që ofron me kalimin e kohës.

Përmbajtja. Indeksi mat:

gjendjen e aseteve publike;
cilësinë e mirëmbajtjes;
kohën e reagimit ndaj problemeve; pastërtinë dhe funksionalitetin;
cilësinë e shërbimit;
kënaqësinë e qytetarëve.

Standardi. Çdo institucion raporton periodikisht jo vetëm çfarë ka ndërtuar, por edhe si është kujdesur për atë që administron. Rezultatet bëhen pjesë e vlerësimit të performancës së institucioneve.

Kufiri praktik. Nis me tri kategori që preken çdo ditë, shkolla, rrugë, hapësira publike. Sepse një indeks që nis me gjithçka, përfundon duke mos matur asgjë.

PARIMI BESA

Një investim fiton vlerë vetëm kur shoqërohet nga kujdesi.

MEKANIZMI 5

Paneli i Performancës

Qëllimi. Performanca e institucioneve duhet të matet nga rezultatet që prodhojnë dhe nga besimi që ndërtojnë.

Përmbajtja. Paneli përmbledh:

realizimin e objektivave;
cilësinë e shërbimeve;
përvojën e qytetarëve;
nivelin e besimit;
kohën e reagimit;
përmbushjen e standardeve.

Standardi. Matja nuk përdoret për të ndëshkuar. Përdoret për të përmirësuar. Çdo tremujor, të paktën një vendim i dukshëm ndryshon për shkak të të dhënave, dhe thuhet publikisht cili.

Ku mbështetet. Te ligji i ri për administratën shtetërore, që ua kërkon tashmë institucioneve planet vjetore të performancës, të bëra publike, me objektiva dhe rezultate të pritshme. Paneli nuk krijon një sistem të ri raportimi: i bashkon planet ekzistuese në një pamje të vetme kombëtare dhe u shton atyre dimensionin që u mungon, treguesit e besimit.

Kufiri praktik. Jo më shumë se 12-15 tregues kombëtarë, të publikuar, me përgjegjës të qartë për secilin. Dhe treguesit e besimit brenda panelit vijnë nga Barometri i pavarur, jo nga vetëdeklarimi i institucioneve.

PARIMI BESA

Ajo që matet me ndershmëri, përmirësohet me përgjegjësi.

Në këtë rast duhet të jetë shumë e qartë se çfarë quhet standard, përndryshe modeli krijon pritshmëri të pazbatueshme ose paralizon administratën. Propozimi: (a) projektligjet, si sot, me detyrim ligjor; (b) vendimet e Këshillit të Ministrave me ndikim të drejtpërdrejtë mbi qytetarët dhe bizneset, me zgjerim gradual, siç ka nisur tashmë me VKM-të e para të konsultuara dhe siç rekomandon BE-ja, sepse paradoksalisht janë shpesh VKM-të ato që prodhojnë efektet më konkrete në jetën e njerëzve; (c) vendimet mbi pronën publike, zonat e mbrojtura dhe investimet me interes të lartë publik, gjithmonë e pa përjashtim; (d) jo çdo akt administrativ dhe jo çdo leje e zakonshme.

Kufiri praktik që e mban larg burokracisë: Proporcionaliteti që mbron efikasitetin dhe afati i përcaktuar. Dëgjesa nuk duhet të bëhet kurrë alibi vonese.

PARIMI BESA

Besimi fillon aty ku dëgjesa bëhet pjesë e vendimmarrjes.

MEKANIZMI 6

Rishikimi Pas Veprimit

Qëllimi. Çdo reformë, projekt apo politikë me ndikim të rëndësishëm duhet të kthehet në një mundësi për të mësuar. Pas përfundimit të çdo faze të rëndësishme të zbatimit zhvillohet një Rishikim Pas Veprimit.

Përmbajtja. Rishikimi analizon:

objektivat fillestare;
rezultatet e arritura;
devijimet nga plani dhe shkaqet e tyre;
mësimet e nxjerra;
rekomandime për ndryshimet që duhen bërë.

Standardi. Gabimi nuk fshihet. Nuk justifikohet. Analizohet. Qëllimi i rishikimit nuk është të përcaktojë fajtorë, është të kuptojë çfarë funksionoi, çfarë jo, dhe pse.

Kufiri praktik dhe i domosdoshëm: procesi i mësimit ndahet me mur nga procesi disiplinor. Ku ka shkelje ligji, vepron drejtësia, por rishikimi ekziston që gabimi i ndershëm të bëhet dije, jo dosje.

PARIMI BESA

Besimi nuk ndërtohet nga mungesa e gabimeve,
por nga aftësia për të mësuar prej tyre.

MEKANIZMI 7

Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm

Qëllimi. Qeverisja nuk duhet të kufizohet në administrimin e krizave. Ajo duhet të krijojë aftësinë për t’i dalluar dhe parandaluar ato përpara se të shpërthejnë.

Përmbajtja. Sistemi mbledh dhe analizon në mënyrë të vazhdueshme:

sinjalet nga administrata publike;
raportimet nga territori;
treguesit ekonomikë e shoqërorë;
perceptimet e qytetarëve;
rreziqet që lidhen me besimin publik.
Çdo sinjal vlerësohet sipas probabilitetit, ndikimit dhe urgjencës së tij.

Standardi. Çdo institucion duhet të krijojë aftësinë të identifikojë rreziqet në fazën kur ato janë ende të menaxhueshme, përpara se sa të kthehen në shqetësime që pastaj mbarsin lëmshin e krizës.

Kufiri praktik. Ky sistem nuk është strukturë e re, po funksion koordinues i Njësisë BESA, me një regjistër rreziqesh që ushqehet nga institucionet përgjegjëse dhe shqyrtohet rregullisht në nivel qeverie. Përdoren vetëm të dhëna të ligjshme dhe të agreguara; ndalohet profilizimi individual, përdorimi elektoral dhe çdo formë kontrolli informal të opinionit.

PARIMI BESA

Qeverisja fiton besim kur arrin të parandalojë, jo vetëm të reagojë.

METODA BESA

Matrica e përgjegjësisë dhe afateve

Vlerësimi i Dëgjesës
hartohet nga institucioni propozues brenda afatit të konsultimit; zëvendëson raportimin formal të konsultimit dhe publikohet përpara vendimit.

Dosja e Evidencës
hartohet nga institucioni propozues me njësinë përgjegjëse për vlerësimin e ndikimit; integrohet në vlerësimi i ndikimit rregullator ose në analizën ekzistuese dhe publikohet me projektvendimin, me përjashtimet që parashikon ligji.

Memorandumi Shpjegues
miratohet nga institucioni përgjegjës dhe publikohet në të njëjtën ditë me vendimin; nuk krijon procedurë miratimi më vete.

Indeksi i Kujdesit
mbahet nga institucioni që administron asetin ose shërbimin; nis me shkollat, rrugët dhe hapësirat publike dhe raportohet çdo gjashtë muaj.

Paneli i Performancës
koordinohet nga Njësia BESA mbi planet ekzistuese të performancës; përmban jo më shumë se 12-15 tregues kombëtarë dhe përditësohet çdo tremujor.

Rishikimi Pas Veprimit
drejtohet nga institucioni përgjegjës brenda 30 ditëve nga përfundimi i një faze të rëndësishme; përmbledhja dhe masat korrigjuese publikohen, ndërsa të dhënat e mbrojtura trajtohen sipas ligjit.

Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm
koordinohet nga Njësia BESA me institucionet sektoriale; regjistri i rreziqeve shqyrtohet çdo muaj në nivel teknik dhe çdo tremujor në nivel qeverie.

RASTI I PARË I METODËS BESA

Testi Vjosë-Narta

Një metodë strategjike provohet aty ku vendimmarrja është më e ndërlikuar dhe besimi më i cenuar. Për këtë arsye, Vjosa-Narta zgjidhet si testi i parë i Metodës BESA. Qëllimi nuk është të rihapet politikisht e shkuara, po të provohet nëse një proces i plotë dëgjimi, evidence, shpjegimi dhe matjeje mund të prodhojë një vendim më të besueshëm.

Testi nuk nis as nga përfundimi se projekti duhet të vazhdojë, as nga përfundimi se duhet të ndalet. Alternativat janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat. Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor.

Përpara nisjes miratohet një mandat i posaçëm zbatimi që përcakton: institucionin përgjegjës; bazën ligjore; dokumentet që mund të publikohen dhe kufizimet e ligjshme të konfidencialitetit; procedurën transparente për përzgjedhjen e ekspertëve; trajtimin e konfliktit të interesit; dhe marrëdhënien e testit me proceset administrative ose kontraktore në zhvillim.

Të shtatë mekanizmat vihen në punë brenda 90 ditëve. Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në Flamingo Mirror.

Vlerësimi i Dëgjesës. Dëgjesë e strukturuar në Vlorë dhe jo vetëm, me banorët, peshkatarët, studentët, shkencëtarët, sipërmarrjet e zonës, grupet që protestuan. Jo shfaqje mediatike, po tryeza dëgjimore të regjistruara për arkivën e Flamingo Mirror dhe me raport të shkruar publik mbi çfarë u tha.

Flamingo Mirror

PASQYRA PUBLIKE E TESTIT

Gjithçka që prodhon testi jeton në një vend të vetëm, publik dhe të hapur për këdo: Platforma digjitale dygjuhëshe Flamingo Mirror/Pasqyra e Flamingos.

Kjo platformë është pikërisht pasqyra, ku qytetari e sheh vetë, pa ndërmjetës, nëse fjala e dhënë po mbahet.

Aty publikohen, në kohë reale dhe në gjuhë të thjeshtë: kalendari i testit me çdo hap të kryer dhe të mbetur; Dosja e plotë e Evidencës, kontratat, vlerësimet, vendimmarrja; raportet e dëgjesës dhe përgjigjet zyrtare për çdo pyetje qytetare, me afat të dukshëm; zotimet publike me tre statuset e tyre: i mbajtur, i shtyrë me shpjegim, i pambajtur; dhe të dhënat e Barometrit të Besimit, para dhe pas, me numrin e keq të botuar njësoj si i miri. Asgjë nuk fshihet pas një PDF-je të skanuar. Të dhënat janë të hapura dhe të kërkueshme, dhe çdo dokument shoqërohet nga përmbledhja e Memorandumit Shpjegues.

Dhe kur testi të mbyllet, Flamingo Mirror mbetet ndërfaqja e përhershme e Metodës BESA për dosjet me interes të lartë publik. Funksioni i saj kufizohet në katër detyra: të tregojë çfarë u premtua; të publikojë provat e lejueshme; të paraqesë afatet dhe statusin e tyre; dhe të regjistrojë çfarë u vendos dhe pse. Platforma nuk është mjet propagande, nuk jep konsiderata politike dhe nuk drejton gishtin e akuzës ndaj askujt. Besueshmëria e saj vjen nga dokumentet, të dhënat dhe gjurmueshmëria e vendimit.

Në fund, një raport i vetëm publik: çfarë u dëgjua, çfarë u provua, çfarë u vendos dhe pse.

Ky raport është certifikata e lindjes së Metodës BESA, ose lista e saktë e asaj që duhet riparuar në të. Të dyja janë fitore, sepse të dyja janë të vërteta.

Flamingoja mbetet simboli i çastit kur pritshmëritë e reja u bënë të pamohueshme. Flamingo Mirror e kthen atë simbol në një standard praktik: qytetari mund të ndjekë vendimin nga pyetja e parë deri te rezultati dhe të kontrollojë nëse fjala e dhënë është mbajtur.

E NJËJTA PROVË

Besa dhe Europa

V.1 Kthesa jonë dhe kthesa europiane e Shqipërisë janë një

Ndërsa ky dokument shkruhet, procesi europian i Shqipërisë ka ndryshuar natyrë. Hapja e kapitujve kërkoi bindje diplomatike; mbyllja e tyre kërkon prova institucionale: ligje që zbatohen, të dhëna që qëndrojnë dhe rezultate që maten.

Kjo është e njëjta kthesë që BESA kërkon brenda vendit. Qytetari shqiptar dhe Bashkimi Europian kërkojnë, secili nga këndvështrimi i vet, të njëjtën gjë: jo vetëm zotime, po funksionim të provueshëm. E njëjta provë që bind qytetarin ndihmon edhe mbylljen e kapitullit.

V.2 Prova për qytetarin është prova për Europën

Mekanizmat e Pjesës III prodhojnë pikërisht gjurmën e provës që kërkon faza e mbylljes së kapitujve: konsultim të dokumentuar, evidencë, shpjegim të kuptueshëm, matje të rezultateve, mësim institucional dhe administrim të rrezikut. Kur këto prodhohen çdo ditë për qytetarin, nuk përgatiten artificialisht për raportin e radhës ndërkombëtar.

E kundërta është më e rrezikshme: provat e prodhuara vetëm për raportim të jashtëm humbasin besueshmërinë kur përvoja e qytetarit i kundërshton. Një dosje që nuk shpjegohet dot bindshëm në Vlorë, vështirë se mbrohet bindshëm në Bruksel. BESA nuk është projekt paralel me integrimin, po pjesë e infrastrukturës së tij të brendshme.

V.3 Kapitulli mbyllet po jeta vazhdon

Një iluzion i rrezikshëm duhet parandaluar që tani medoemos: mbyllja e një kapitulli nuk do të thotë se sektori është bërë europian. Një kapitull i arsimit për shembull, mund të mbyllet me ligje të përafruara dhe përparim të certifikuar, ndërsa shkolla ende nuk jep mësimin që duhet në të gjithë territorin. Qytetari nuk jeton kapitullin. Jeton përvojën e tij në marrëdhëniet me shtetin e me ligjin. Jemi në të drejtën tonë legjitime t’i kremtojmë si çaste krenarie mbylljet e kapitujve, por pa harruar assesi se përvoja e përditshme e qytetarit duhet të bëhet edhe ajo arsye krenarie, sepse përndryshe do të kemi hapur me duart tona hendekun e radhës midis faktit dhe përjetimit, bash atë hendek që ky dokument u shkrua për të treguar se si duhet mbyllur.

Prandaj çdo mbyllje kapitulli duhet të shoqërohet, brenda qeverisjes sonë, me një pyetje disiplinuese: çfarë duhet të jetë e vërtetë në ditën e anëtarësimit? Jo çfarë u miratua, po çfarë funksionon. Jo çfarë u raportua, po çfarë përvoje qytetari jeton. Anëtarësimi nuk është dita kur mbyllen dosjet. Është dita kur standardi bëhet jetë e përditshme.

V.4 Vjosë-Narta si test i dyfishtë

Testi i Vjosë-Nartës ka edhe përmasë europiane. Një çështje mjedisore që prek konsultimin, ligjshmërinë dhe cilësinë e vendimmarrjes nuk mbetet vetëm brenda kapitullit të mjedisit; ajo prek besueshmërinë e institucioneve.

Prandaj i njëjti proces duhet t’u përgjigjet qytetarëve dhe detyrimeve europiane: jo me dy dosje të ndryshme, po me një proces të vetëm, ligjor, transparent dhe të provueshëm.

V.5 Kujdesi ndaj administratës: njerëzit që mbajnë peshën e kthesës

Dhe një e vërtetë e fundit, që dokumentet strategjike zakonisht e harrojnë sepse nuk del në asnjë ceremoni. Kthesa e mandatit të katërt do të mbahet mbi supet e një numri jo të madh njerëzish, juristë që hartojnë, statisticienë që masin, inspektorë që verifikojnë, nëpunës që zbatojnë, drejtues që raportojnë. Nëse këta njerëz nuk motivohen, largohen pa lënë pas dijen, ose zëvendësohen me lëvizje arbitrare, asnjë mekanizëm i këtij dokumenti nuk funksionon. Administrata që nuk ndjen besim nuk prodhon besim.

Prandaj kultura e kujdesit për përvojën e qytetarit, që Pjesa I e vendosi për asetet publike, vlen njësoj edhe brenda shtetit. Përvoja e atyre që mbajnë peshën e kthesës duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe autoriteteve. Çdo largim duhet të shoqërohet me dorëzim të detyrueshëm të dijes. Njerëzit e kthesës duhet të mbrohen nga lëvizjet arbitrare. Njerëzit e shtetit nuk kujdesen dot për qytetarin, po qe se shteti nuk kujdeset për njerëzit e vet, jo si pjesë e partisë po si aset i Republikës.

MBYLLJE

Me Besën nis Rilindja 2.0

Tre mandatet e para iu përgjigjën pyetjes nëse Shqipëria mund të rilindte, duke hyrë në një rrugë të re transformimi tërësor. Mandati i katërt duhet t’i përgjigjet një pyetjeje më të vështirë: a mund të bëhet ky zhvillim gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm për çdo qytetar?

Për qytetarin, kjo pyetje ndahet në dy: Ku po shkon Shqipëria me këtë zhvillim? Dhe ku jam unë në të?

Destinacioni është Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian. Por ky destinacion ka kuptim vetëm kur kthehet në përvojë të prekshme: paga që afrohen me ato europiane, shërbime që maten me standarde europiane, drejtësi që funksionon njësoj për të gjithë, mundësi që i mbajnë më shumë fëmijët tanë këtu dhe kthejnë më shumë nga ata që ikën.

BESA i përgjigjet pyetjes së dytë. Qytetari nuk është spektator i zhvillimit dhe as pengesë e tij. Dëgjohet përpara vendimit, informohet për arsyet, sheh provat, ndjek afatet dhe kontrollon rezultatin. Kur një investim ose reformë pretendohet se i shërben interesit publik, qeveria duhet të provojë çfarë pune krijon, çfarë të ardhurash prodhon, çfarë garanton për natyrën, pronën dhe të drejtat, dhe si ndahet përfitimi. Zhvillimi nuk mund të bëhet mbi qytetarin, po bashkë me të dhe për të.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese