Gjatë prezantimit të dokumentin Strategjik "BESA" përpara anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialistëve dhe anëtarëve të Kabinetit Qeveritar, Kryeministri Edi Rama ka premtuar një reflektim në qeverisje nga protesta e flamingove.
Një kapitull i veçantë i dokumentit “BESA” i kushtohet ndryshimit të kulturës së administratës publike. Në dokument thuhet se Shqipëria ka kaluar fazën kur qytetarët kërkonin vetëm investime të reja.
Sipas strategjisë, tani rëndësi të njëjtë kanë mirëmbajtja e rrugëve, pastërtia e hapësirave publike, cilësia e shërbimeve dhe mënyra si trajtohen kërkesat e qytetarëve.
Për këtë arsye propozohet krijimi i Indeksit të Kujdesit, i cili fillimisht do të matë gjendjen e shkollave, rrugëve dhe hapësirave publike. Dokumenti thekson se qytetarët nuk e ndajnë më investimin nga mënyra se si ai mirëmbahen.
“Një investim fiton vlerë vetëm kur shoqërohet nga kujdesi”, thuhet në dokument.
Gjithashtu në dokumentin e bërë publik sot, çështja e Vjosë-Nartës përzgjidhet si rasti i parë ku do të provohet modeli i ri i vendimmarrjes.
Sipas dokumentit, qëllimi nuk është të parapërcaktohet nëse projekti duhet të vazhdojë apo të ndalet, por të provohet nëse një proces i plotë dëgjimi, evidence dhe transparence mund të prodhojë një vendim më të besueshëm.
Dokumenti parashikon që brenda 90 ditëve të zhvillohen dëgjesa me banorët, peshkatarët, studentët, shkencëtarët dhe bizneset e zonës.
Gjithashtu do të përgatitet një dosje e plotë me evidenca, do të publikohet dokumentacioni i lejueshëm dhe në fund do të merret një vendim i arsyetuar mbi hapat që do të ndiqen. Në dokument thuhet se alternativat mbeten të hapura: vazhdimi, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi i projektit, në varësi të provave dhe kuadrit ligjor.
Po ashtu në kapitullin “Besa dhe Europa”, dokumenti argumenton se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave, ku nuk mjafton më miratimi i ligjeve apo përmbushja formale e kritereve, por kërkohen prova konkrete se institucionet funksionojnë dhe standardet zbatohen në praktikë.
Sipas dokumentit, e njëjta provë që bind qytetarët shqiptarë duhet të bindë edhe Bashkimin Europian.
“Qytetari shqiptar dhe Bashkimi Europian kërkojnë, secili nga këndvështrimi i vet, të njëjtën gjë: jo vetëm zotime, por funksionim të provueshëm". Në dokument theksohet se mekanizmat e propozuar nga metoda “BESA” – konsultimi i dokumentuar, vendimmarrja e bazuar në evidencë, shpjegimi publik, matja e rezultateve, mësimi institucional dhe administrimi i rrezikut synojnë të krijojnë pikërisht këtë provë.
Sipas strategjisë, nëse këto standarde funksionojnë për qytetarët shqiptarë, ato do të shërbejnë njëkohësisht edhe si dëshmi për procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Dokumenti paralajmëron gjithashtu se mbyllja e kapitujve të negociatave nuk duhet të ngatërrohet me përfundimin e reformave. "Një kapitull mund të mbyllet me ligje të përafruara, ndërsa qytetari ende të mos e përjetojë standardin europian në jetën e përditshme”, thuhet në tekst.
Për këtë arsye, dokumenti propozon që pas çdo kapitulli të mbyllur, qeveria t’i shtrojë vetes një pyetje: “Çfarë duhet të jetë e vërtetë në ditën e anëtarësimit?”
Sipas dokumentit, anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk duhet të matet vetëm me raportet e Brukselit, por me përvojën e përditshme të qytetarëve në marrëdhënien me shtetin.
Në të njëjtin kapitull, Vjosë-Narta cilësohet edhe si një “test i dyfishtë”: jo vetëm për të provuar metodën e re të qeverisjes, por edhe për të treguar se një çështje me ndikim mjedisor mund të trajtohet përmes një procesi transparent, të dokumentuar dhe në përputhje me standardet europiane.
Një nga risitë që parashikon dokumenti strategjik “BESA – Me Besën nis Rilindja 2.0” është vendosja e një standardi të ri për mënyrën se si qeveria komunikon vendimet me qytetarët.
Përmes mekanizmit të quajtur “Memorandumi Shpjegues”, dokumenti propozon që çdo politikë publike, reformë apo vendim me ndikim të gjerë të mos publikohet vetëm si akt administrativ, por të shoqërohet me një dokument shpjegues, të hartuar në gjuhë të qartë dhe të kuptueshme për publikun.
Sipas dokumentit, memorandumi duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve thelbësore: cili është problemi që synon të zgjidhet, cilat alternativa janë shqyrtuar, pse është zgjedhur një zgjidhje e caktuar dhe çfarë ndikimi pritet të ketë vendimi.
Po ashtu, ai duhet të shpjegojë edhe kostot, përfitimet, rreziqet e mundshme dhe mënyrën se si do të matet suksesi i politikës së ndërmarrë.
Dokumenti argumenton se transparenca nuk duhet të kufizohet te publikimi i një vendimi në Fletoren Zyrtare apo në faqet institucionale, por duhet të shoqërohet me arsyetimin e plotë të vendimmarrjes.
Në tekst theksohet se qytetarët nuk kërkojnë vetëm të dinë çfarë ka vendosur qeveria, por edhe pse është marrë ai vendim dhe mbi çfarë provash është mbështetur.
“Memorandumi Shpjegues” është një nga shtatë mekanizmat që përbëjnë metodën e re të qeverisjes të propozuar në dokumentin “BESA”. Sipas strategjisë, ai synon të krijojë një kulturë të re komunikimi institucional, ku vendimmarrja të jetë më e kuptueshme, më e argumentuar dhe më e verifikueshme nga publiku.
Dokumenti e konsideron këtë si një hap drejt forcimit të besimit mes institucioneve dhe qytetarëve, duke argumentuar se besimi nuk ndërtohet vetëm përmes rezultateve, por edhe përmes mënyrës se si shpjegohen dhe justifikohen vendimet publike.

