Pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, ku ndalon gazetarët të bëjnë raportimin e tyre të drejtpërdrejtë nga ky institucion, ka reaguar edhe Organizata Safe Journalist të cilët kërkojnë nga Kuvendi shfuqizimin e këtij vendimi, pasi rrezikon lirinë e medias në vend.
Sipas tyre, Parlamenti duhet të forcojë transparencën dhe pjesëmarrja e mediave gjatë seancave plenare është e rendësishme.
“Rrjeti Safe Journalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidaritet me kolegët shqiptarë dhe shpreh shqetësimin për një sjellje të tillë nga zyrtarët legjislativë që mund të rrezikojnë lirinë e medias.Ne kërkojmë nga Parlamenti shqiptar të tërheqë këtë vendim dhe t’i përmbahet procesit të konsultimit, pasi rregullore të tilla kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në raportimin e pavarur të medias, lirinë e shprehjes dhe transparencën dhe duhet të miratohen vetëm pasi të jetë kryer konsultimi i duhur me aktorët e interesuar në media, shoqëria civile dhe sektorët e lidhur me to. Në fund, duke marrë parasysh që raporte të ndryshme të pavarura shprehin shqetësime në lidhje me gjendjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike përfshirë Parlamentin, ky vendim ka shumë të ngjarë të ndikojë edhe më tej në nivelin e transparencës së Parlamentit. Prandaj, është thelbësore që Parlamenti të forcojë transparencën dhe pjesëmarrjen e palëve të interesuara dhe mënyra se si ata menaxhojnë marrëdhëniet me mediat është gjithashtu e rëndësishme këtu.Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve”, shkruhet në reagimin e tyre.
Kujtojmë se ditën e sotme palk para nisjes plenare gazetarët që mbulojnë zhvillimet në Kuvend kanë protestuar në lidhje me një vendim për rregulloren e re të këtij institucioni.
Katër ditë më parë Kuvendi publikoi vendimin që përjashton gazetarët nga transmetimi i pavarur i punimeve të Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare.
