Një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj është përfshirë nga flakët këtë të dielë në fshatin Hekal të Mallakastrës, ku kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse nga disa bashki, si edhe nga ajri për shkak të afërsisë me Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Burime për mediat kanë bërë me dije se nga fshati Hekal, flakët kanë rënë fillimisht pranë rrugës rurale që lidh Hekalin me Klosin, ku është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe e mbjellë me ullinj. Më pas, të favorizuara nga era e fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në zona të mbuluara me bimësi të thatë.
Zjarri ka depërtuar edhe në territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku janë djegur shkurre. Fatmirësisht, sipas informacioneve paraprake, monumentet arkeologjike, bazilikat dhe strukturat prej guri nuk kanë pësuar dëmtime.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan zjarrfikësit e Ballshit, një mjet zjarrfikës nga Fieri dhe një nga Bashkia e Patosit. Po ashtu edhe banorë nga fshatrat Klos dhe Hekal, të cilët kanë ndihmuar në përpjekjet për izolimin e flakëve.
Për shkak të rrezikut që flakët të përhapeshin drejt territorit të Parkut Arkeologjik të Bylisit, operacioni u mbështet edhe me ndërhyrje nga ajri. Pas disa orësh pune, zjarri u shua, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave, pasi për shkak të erës së fortë flakët mund të përhapen, sidomos gjatë orëve të natës.
