Hapësire reklamuese

Aktualitet

Draft-raporti i KE-së: Kuotat për magjistratët e rinj të pamjaftueshme! Zbatimi i ligjit për rastet e korrupsionit në Shqipëri akoma me probleme

Shkruar nga Newsbomb
Draft-raporti i KE-së: Kuotat për magjistratët e rinj të
Foto ilustruese

Në të njëjtën linjë si para një viti, Komisioni Evropian ka ngritur shqetësimet e saj në lidhje me Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri, për vitin akademik 2026-2027. Ndërsa mësohet se sipas KE-së, korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, megjithatë koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet problematik.  

“Kuotat e vendosura nga KLGJ dhe KLP për Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027 janë të pamjaftueshme për të adresuar sfidat në lidhje me cilësinë dhe efikasitetin e sistemeve gjyqësore” shkruhet në draftin e siguruar nga Report.Tv.

Për periudhën akademike 2026-2027, kujtojmë se KLGJ në janar përcaktoi 10 kuota janë për kandidatët për gjyqtarë, 6 për kandidatët si ndihmës ligjore në Gjykatat e Apelit dhe 35 për kandidatët Ndihmës ligjore për Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërsa KLP përcaktoi 7 kuota për prokurorë.

Për përzgjedhjet e bëra Komisioni Evropian ka shprehur pakënaqësinë e saj duke shtuar se strukturat nuk janë të mjaftueshme në krahasim me punën që duhet të arrihet në sistemin gjyqësor.

“Këto kuota përcaktohen pas një vlerësimi të vendeve të lira aktuale dhe të ardhshme, bazuar në strukturën ekzistuese organizative, por nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur plotësisht nevojat e sistemit gjyqësor në afat të mesëm” shprehet Komisioni Europian.

Po ashtu, raporti vë në dukje dhe pozicionet e këshilltarëve ligjorë të cilat mbeten shumë të kufizuara në numër krahasuar me nevojat e menjëhershme të sistemit. Ndërsa flitet për mungesë stafi dhe në sektorin e burimeve njerëzore.

“Nga 219 punonjës shtesë të kërkuar nga institucionet e drejtësisë në vitin 2025, vetëm 100 punonjës shtesë u miratuan nga Parlamenti. Një plan gjithëpërfshirës i burimeve njerëzore, duke përfshirë planifikimin për secilën kategori të stafit shtesë, ende mungon. Megjithëse investimet në sistemin e drejtësisë kanë vazhduar të rriten, shpenzimet e përgjithshme mbeten të ulëta dhe buxheti i ndarë për burime shtesë njerëzore nuk është rritur pavarësisht nga kërkesa e të dy Këshillave”.

Më tej, në draftin e Komisionit Europian mësohet se flitet dhe për situatën aktuale politike në vendin tonë. Çështje për të cilën Komisioni Evropian thekson se përplasjet e vazhdueshme mes shumicës dhe opozitës po pengojnë punën e parlamentit.

 “Polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e punës parlamentare. Një seri protestash të organizuar nga Partia Demokratike kundër qeverisë, përfunduan me sulme me molotovë ndaj selisë së Këshillit të ministrave” shkruhet në raport.

Ndërsa shtohet se disa protesta të thirrura nga opozita u shndërruan në të dhunshme. 

Sa i përket parandalimit të korrupsionit në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht të tilla, theksohet se kjo është një nga pikat që ka pasur përmirësim në vendin tonë.

Raporti thekson se “korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, por koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët”, duke vënë në dukje se “vazhdojnë mangësitë në lidhje me kapacitetin e Drejtorisë së Përgjithshme Kundër Korrupsionit (DPKK) për të zbatuar dhe vlerësuar në mënyrë efektive ndikimin e masave parandaluese, duke marrë parasysh hetimet e vazhdueshme të korrupsionit në sektorë ose institucione specifike.”

“Rreziqet e korrupsionit mbeten të pranishme, veçanërisht në shëndetësi, arsim, prokurim publik, partneritete publik-private dhe brenda policisë, si dhe në marrjen e akteve të pronësisë dhe procedurave përkatëse (Agjencia Shtetërore e Kadastrës), të cilat konsiderohen fusha me rrezik të lartë për korrupsion”, shkruhet në raport.

Më tej vlerësohet dhe puna e Prokurorisë së Posaçme në luftën kundër korrupsionit, pasi mësohet se raporti flet dhe për tentativa për ta penguar.

“SPAK, vazhdon të dëshmojë pavarësi dhe kapacitete të forta për të dhënë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, pavarësisht nga raportimet për përpjekje të mediave dhe politikës, për ta diskredituar e për të ushtruar trysni e ndikim të papërshtatshëm”, vë në dukje Komisioni Europian.

Sipas dokumentit të Brukselit “në vitin 2025, SPAK hetoi 30 zyrtarë të nivelit të lartë dhe ish-zyrtarë (duke përfshirë një Zëvendëskryeministër, ish-Kryetar të Parlamentit, ish-Ministër dhe ish-Anëtarë të Parlamentit)". 18 prej tyre u referuan në gjykatë dhe 10 u dënuan me një vendim përfundimtar.

“Numri i referimeve në SPAK nga institucione të tjera mbetet i ulët”, raporti thotë se  ka patur një rritje të hetimeve të reja (+17.7 përqind) dhe të rasteve të përfunduara (12.2 përqind). Por nga ana tjetër, raporti thekson se sekuestrimet në çështjet që lidhen me korrupsionin mbeten të ulëta. “Vlera e sekuestrimeve (rreth 1.5 milion euro) dhe konfiskimeve (rreth 100 000 euro) mbetet modeste dhe me një raport të ulët që thekson nevojën për të forcuar efektivitetin e procedurave të konfiskimit”, shkruan Komisioni Europian.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese