Hapësire reklamuese

Aktualitet

VKM/ Qeveria miraton shpronësimet në pikën kufitare të Morinës, ja me sa lekë do të kompesohen pronarët

Shkruar nga Newsbomb
VKM/ Qeveria miraton shpronësimet në pikën kufitare të
Foto ilustruese, Kryeministria

Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur ditën e djeshme, mësohet se qeveria ka vendosur shpronësimin e plotë të pronarëve të cilët preken nga ndërhyrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) pranë pikës kufitare të Morinës.

Sipas VKM-së, pronarët kompesohen në një vlerë prej 184.982 lekë nga buxheti i shtetit. Ndërsa vlera e përgjithshme e shpenzimeve proceduriale në masën 50 000 lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

“Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij’, theksohet në VKM.

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SHESHEVE DHE ZONAVE KRYESORE NË AFËRSI TË PIKAVE DOGANORE SHQIPTARE (PIKA DOGANORE MORINË)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të pikave doganore shqiptare (Pika doganore Morinë).

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 184 982 (njëqind e tetëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 184 982 (njëqind e tetëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Autoriteti Rrugor Shqiptar, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Kukës, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë që shpronësohen sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kukës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Kukës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Të gjitha VKM-të

Këshilli i Ministrave vendosi:

-Miratimin e rregullave për përcaktimin e kritereve, të procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve, funksionimin, si dhe mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive të komisioneve këshillimore për titujt e nderit.

-Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të listës së kandidatëve të kualifikuar për kryetar dhe për 3 (tre) anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik.

-Miratimin e marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) GmbН, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për programin “Qendrat për migracion dhe zhvillim” (ZME).

-Përcaktimin e kritereve, të masës së përfitimit dhe llojeve të pushimeve të tjera, me apo pa pagesë, në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

-Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Avokatura e Shtetit, të pasurisë së paluajtshme nr.50/17-N, zona kadastrale 8605, Vlorë, sipas planimetrisë, me qëllim ushtrimin e aktivitetit, sipas fushës së veprimtarisë.

-Miratimin e rregullores “Mbi kushtet, kriteret dhe procedurat e verfikimit të shkarkimeve të gazeve me efekt serrë të operatorit të instalimit, të operatorit të avionit e të subjektit të rregulluar dhe kushtet, kriteret e procedurat e akreditimit të verifikuesve”. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit për zbatimin e këtij vendimi.

-Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të pikave doganore shqiptare (Pika doganore Morinë).

-Shpronësimin, për interes publik, të bashkëpronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i trotuareve, lagjja “Sheh””, Bashkia Kavajë.

-Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz.

-Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Përrenjas.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese