
Detaje të reja kanë dalë lidhur me megaoperacionin e zhvilluar gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ku autoritet shqiptare, në bashkëpunim me ato italiane lëshuan 52-urdhër-arreste.
Siç dhe raportuam më herët masat e sigurisë janë lëshuar në disa qytete, përfshirë dhe dy qytetet bregdetare, Durrësin e Vlorën. Një urdhër arrest është lëshuar edhe ndaj Elvis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës, ndërkohë mësohet se deri më tani janë arrestuar tre persona në Fier, Vlorë dhe Durrës.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni të madh kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës është ndaluar dhe Ligor Çombashi, pronar i agjencisë së udhëtimit “Ligori Travel”.
Ky operacion po udhëhiqet nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit, Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Tiranë dhe Policisë Shqiptare, me urdhër të Drejtorisë së Distriktit Antimafia të Barit dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, nën koordinimin e Eurojust-it (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.
Deri më tani janë lëshuar mbi 50 urdhër-arreste, ndërkohë që në këtë operacion janë duke marrë pjesë agjentë të BKH-së, policisë dhe antimafias italiane.
Burime për mediat bëjnë me dije se në këtë grup të strukturuar kriminal janë përfshirë avokatë, biznesmenë, policë, zyrtarë dhe disa personazhe të njohur të botës së krimit.
Mësohet se masë sigurie është lëshuar edhe për avokatin Armand Tragaj në Durrës.

Në një njoftim të DIA-s u evidentua fakti se ky operacion i autoriteteve të dy vendeve është zhilluar me qëllim luftimin e trafikut të pandërprerë ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të kontrolluar nga organizatat kriminale shqiptare, të cilat transportojnë sasi të mëdha të këtyre drogave midis Ballkanit, Europës Veriore dhe Puglias.
Sakaq pritet që në orën 10:30 kreu i SPAK. Altin Dumani, të zhvillojë një konferencë të përbashkët me Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesin për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani, ku dhe do të zbulojnë më tepër detaje lidhur me atë çfarë ka ndodhur deri më tani.
Kush është Elvis Doçi:
Elvis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest.
Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Elvis Doçit.
Ndërkohë që emri i tij është lakuar në shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin tonë. Sakaq, jo më larg se disa javë më parë edhe ish-kryeministri Berisha në daljet e tij televizive i ka bërë thirrje Doçit që të distancohej nga zgjedhjet pasi ashtu si kyredemokrati pretendonte po kërcënon qytetarët.
*Të gjitha informacionet dhe emrat e përmendur janë siguruar në rrugë jo zyrtare, për të tepër informacione lidhur me këtë operacion pritet një reagim zyrtar nga SPAK!