Ish-kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të një megaoperacioni që po zhvillohet në disa qytete për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri.
Gjithashtu, është arrestuar dhe zëvendës drejtori i Burgut të Bradasheshit në Elbasan, Martin Musaj. Edhe ky shtetas, dyshohet se ka bashkëpunuar me grupet kriminale që vepronin në qarkun e Elbasanit.
Janë rreth 30 urdhër-arreste që janë kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe janë miratuar nga togat e zeza, duke nisur kështu prej mbrëmjes së djeshme një operacion të gjerë në trekëndëshin Elbasan, Tiranë dhe Durrës.
Në terren janë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe efektiv të Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit, të cilët po bastisin shtëpi dhe ambiente të tjera ku dyshohet se qëndrojnë eksponentë të njohur të botës së krimit. Në Elbasan, kontrollet janë përqendruar në fisin Çapja.
Dyshohet se personazhe të botës së krimit kanë bashkëpunuar me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të drejtësisë, sipas bisedave që janë zbardhur nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin sekret "Sky ECC". Autoritetet e huaja të drejtësisë kanë sjell materialet për këto komunikime pranë SPAK.
Tre ditë më parë u arrestua kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, po për të njëjtat biseda që kanë dalë në aplikacionin "Sky ECC", ndërsa sot janë prangosur ish-kryegjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe zëvendës drejtori i Burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.
Newsbomb.al kaa njoftuar më herët se priten operacione të bujshme nga Prokuroria e Posaçme, pikërisht për zbërthimin e komunikimeve nga këto platforma sekrete të komunikimit ku janë përfshirë zyrtarë e ish-zyrtarë të shtetit, si dhe eksponentë të botës së krimit.