Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka deklaruar se dialogu me “të vërtetët e protestës” është shumë afër, duke theksuar se ata janë qytetarët që shprehin pakënaqësinë pa dhunë ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të zgjedhur me votë.
Në një intervistë për A2CNN, Mila u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke e cilësuar si një moment kritik për Shqipërinë. Sipas saj, destabiliteti politik nuk ndihmon vendin, ndërsa puna për mbylljen e kapitujve të negociatave është e vështirë dhe rigoroze. Mila paralajmëroi se nuk duhet lejuar që “ata që janë mësuar të prishin festa” të pengojnë procesin e integrimit.
“Është shumë afër dialogu me të vërtetët e protestës. Të vërtetët e protestës janë ata të cilët nuk gjuajnë me tulla, me vezë apo me çfarë gjejnë aty ndaj policisë së shtetit, ndaj deputetëve dhe ndaj atyre që përfaqësojnë qytetarët, të cilët i kanë zgjedhur me votë për të qenë aty. Sa i takon Bashkimit Evropian, vij nga katër ditë shumë intensive atje. Më besoni se ekzaktësisht udhëzimi që na dha neve si deputetë të rinj, sepse ishim një kast deputetësh të rinj që po trajnoheshim, kishte pikërisht këtë merak. Do të ishte një çmenduri nëse Shqipëria do të ndalte hapin, nëse Shqipëria do të bënte gabimin e madh të mos kuptonte sinjalet e mira që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe të krijonte destabilitet në këtë moment. Destabiliteti politik nuk e ndihmon absolutisht Shqipërinë në këtë moment shumë kritik ku ndodhet, sepse ne shohim vetëm një deklaratë që bën Bashkimi Evropian apo një moment kulminant, por ju duhet të kuptoni që ajo është një punë e vështirë dhe rigoroze për të shkuar edhe për të mbyllur kapitujt, siç ua kemi premtuar shqiptarëve. Nuk mund të lejojmë që ata që duan ta prishin këtë festë, sepse janë mësuar, janë mësuar këta, të prishin festa.”, tha Sara Mila.
