Hapësire reklamuese

Aktualitet

Përshkallëzimi sjell distancimet e para nga protesta, avokati Dorian Matlija: Unë dal për natyrën, korrupsionin dhe kapjen e shtetit, por s'jam për dhunë dhe fantazi analfabetësh

Shkruar nga Newsbomb
Përshkallëzimi sjell distancimet e para nga protesta, avokati Dorian
Ilustrim: Avokati i njohur Dorian Matlija

Avokati i njohur Dorian Matlija, mbështetës i shumë kauzave qytetare, ka dalë me një deklaratë personale distancimi nga protesta qytetare duke theksuar se nuk do të jetë asnjëherë pro dhunës dhe shndërrimit të tubimit në favor të qeverisë.

"Unë jam dhe do mbetem pjesë e protestës qytetare. Jam në këtë protestë për natyrën, për Vjosë-Nartën, për flamingot, për transparencën, kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit dhe arrogancës së pushtetit", shkruan ai.

Avokati thekson se dëshiron shumë që protesta të ketë sukses, ndaj distancohet nga:

1. Mikrofoni dhe përfaqësimi i vetëshpallur. Askush nuk ka mandat të flasë në emër të popullit vetëm pse ka kapur një mikrofon, ka hipur në një shkallë apo ka krijuar një grup ëhatsappi. Protesta nuk ka nevojë për fytyra të vetëshpallura. Populli flet vetë, me praninë masive në shesh, me korin, me pankartat, me këngët, dhe me dinjitetin.

2. Fantazitë institucionale të analfabetëve kushtetues të veshura me flamur patriotik. Distancohem nga kuvendet imagjinare, sekretariatet patriotike, qeveritë teknike të shpikura, listat e shpallura pa logjikë juridike dhe kërkesat që ngatërrojnë dëshirën me Kushtetutën.

3. Çdo aksion që i jep alibi pushtetit. Distancohem nga vezët, gurët, thyerjet, dhuna, teoritë konspirative dhe çdo sjellje që e kthen protestën nga kauzë qytetare në karikaturë apo alibi të përdorshme nga qeveria.

Deklarata e tij e distancimit nga kjo formë protestë apo organizimi të saj dhe kontrolli nga persona që kanë interesa të tjera, ka gjetur edhe mbështetjen e disa intelektualëve, të cilët janë pro lëvizjes qytetare por kundër dhunës.

"Për shumë ditë heshta, si shumë të tjerë, për të mos e përçarë protestën. Por kjo heshtje, e imja dhe shumë të tjerëve si unë, u dha terren atyre që sot sillen sikur janë pronarë të saj. Tani nuk është koha të heshtim, sepse pikërisht kjo heshtje po e lë protestën dhe të gjithë energjinë e saj të shumicës dërrmuese të protestuesve, të shpërdorohet. Një moment i tillë historik nuk vjen më për një kohë të gjatë.

Nuk pranoj t’u bëj drafte, nene dhe teknikalitete ligjore ideve të paqarta të atyre që vetëshpallen ideologë, heronj dhe fytyra të protestës, ndërsa të tjerët t’i përdorin si noterë të konfuzionit të tyre. Unë mund të mbroj protestues të arrestuar, kushdo qofshin ata, për t’u garantuar një proces të rregullt ligjor, respektim të të drejtave procedurale dhe mbrojtje nga çdo abuzim shtetëror", shprehet Dorian Matlija.

Avokati që bën mbrojtjen ligjore të protestuesve, në këtë kauzë dhe të tjera më parë, thekson se në asnjë moment nuk distancohet nga protesta, por vetëm nga ata që po përpiqen ta marrin peng dhe me dashje apo pa dashje po e dëmtojnë atë.

"Protesta duhet të kthehet aty ku ishte më e fortë, te qytetarët, te natyra, te flamingot, te masiviteti, te humori, te pankartat gjithë fantazi dhe te kërkesa e qartë politike për dorëheqjen e një pushteti kriminal dhe arrogant. Populli është protagonisti i vetëm. Gjithçka tjetër është zhurmë që me dashje ose pa dashje i shërben pushtetit", përmbyll ai.

Këtë deklaratë të avokat Dorian Matlijas e ka shpërndarë menjëherë edhe kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar si "hap konstruktiv në drejtimin e duhur".

Kreu i qeverisë shqiptare tregon "dy gjëra" që sipas tij duhet t’i kuptojë kushdo ka arritur në këtë kthesë, paçka se me pak vonesë, duke ju referuar deklaratës së distancimit, si më poshtë:

1. Ky “pushteti kriminal” është në negociata me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit, pikërisht që të mbyllë negociatat pa humbur asnjë ditë kohë e pa u çfokusuar në asnjë moment nga ky mision kombëtar

2. Sot nuk ka asnjë moment tjetër historik për të pasur parasysh, përveç rrugës së hapur të Bashkimit Europian për Shqipërinë, e cila nuk duhet lënë kurrësesi të mbyllet, ndërsa temat e “natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit” ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet: Dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese