Autoritetet ushtarake iraniane kanë lëshuar një paralajmërim të ri për të gjitha anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke i urdhëruar ato të ndjekin vetëm rrugët e miratuara nga Teherani.
Sipas deklaratës së transmetuar nga televizioni shtetëror, çdo shkelje e protokolleve të lundrimit ose devijim nga korsitë e përcaktuara do të përballet me një “reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm” nga forcat e armatosura.
Ky njoftim, i bërë publik nga komanda Khatam al-Anbiya, vjen pas një incident të ndodhur të mërkurën, kur një anije ngeci në ngushticë duke përdorur një rrugë që, sipas autoriteteve iraniane, nuk ishte e autorizuar.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, ku kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës.
Paralajmërimi i fundit nga Irani ka shtuar frikën për tensione të reja në këtë zonë strategjike, e cila shpesh ka qenë skenë e përplasjes së interesave ndërkombëtare.
“Çdo dështim për t'u përmbajtur, devijim nga rruga e caktuar ose shkelje e protokolleve të lundrimit të Republikës Islamike të Iranit në Ngushticën e Hormuzit do të përballet me një përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme nga forcat e armatosura", thuhet në deklaratë.
