Policia italiane ka arrestuar një 22-vjeçar shqiptar, pasi është kapur me mbi 1.2 kilogramë kokainë, pjesërisht të ndarë në doza.
Bëhet me dije se i riu shqiptar është i njohur për forcat e rendit, me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimi.
Efektivët e policisë italiane vunë re të riun duke drejtuar një makinë që, sipas hetimeve të policisë, ishte përdorur më parë për trafik droge. Për këtë arsye, ata vendosën të ndiqnin lëvizjet e tij.
22-vjeçari arriti në Via Dal Verme, ku hyri në një ndërtesë. Policia u stacionua aty pranë dhe e arrestoi atë menjëherë pas daljes nga ndërtesa. Brenda apartamentit, u identifikuan dy shtetas italianë, të moshës 36 dhe 43 vjeç.
Ata u akuzuan më vonë për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen. Gjatë një kontrolli personal, të riut iu gjetën në posedim tre pako kokainë, një palë çelësa të gjetur në një apartament në Rozzano, një telefon celular dhe 820 euro në para të gatshme, nga të cilat 220 euro u gjetën në makinë.
36-vjeçari mbante gjithashtu afërsisht gjashtë gramë e gjysmë kokainë, të ndarë në doza, të cilat, sipas hetuesve, i kishte blerë së fundmi nga 22-vjeçari. Dy pako të tjera me kokainë u sekuestruan gjithashtu në apartamentin në Via Dal Verme.
Çelësat e gjetura tek i arrestuari i çuan hetuesit në shtëpinë e të riut në Rozzano, ku zbuluan atë që hetuesit besojnë se ishte qendra e trafikut të drogës. Gjatë kontrollit të shtëpisë, oficerët gjetën katër peshore precize në tryezën e kuzhinës, copa të shumta letre alumini të përdorura për paketimin e dozave dhe 54 gramë kokainë të ndarë tashmë në 51 pako.
Mbi 1.2 kilogramë kokainë ishin fshehur brenda furrës, ndërsa gjashtë pako të tjera me të njëjtën substancë dhe 6,000 euro në para të gatshme, që besohet të jenë të ardhurat nga trafiku i drogës, u gjetën në dhomën e gjumit.
