Katër masa arresti janë ekzekutuar ditën e sotme në provincat e Napolit dhe Avellinos, për sulmin me bombë ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci në tetor 2025, pranë Torvaianica-s. Urdhri u lëshua nga Gjykata e Romës me kërkesë të Drejtorisë Antimafia.
Të arrestuarit janë banorë të Nola-s, Cicciano-s dhe Avella-s, të moshës 22 deri 53 vjeç, me precedentë penalë për drogë dhe dëmtime kriminale.
Hetimet zbuluan se grupi kishte inspektuar zonën disa ditë para sulmit dhe kishte përdorur një Fiat 500 X të marrë me qira për të transportuar pajisjen shpërthyese. Pajisja, e përbërë nga “xhelatinë gurore”, shpërtheu para shtëpisë së gazetarit, duke shkatërruar makina dhe duke dëmtuar muret e banesës.
Sipas përgjimeve telefonike, njëri prej të arrestuarve pranoi se kishte vendosur bombën “për të bërë histori” dhe se vepronte me porosi kundrejt pagesës. Në biseda të tjera, anëtarët e grupit flisnin hapur për sulmin dhe për furnizimin me eksplozivë.
Një e-mail anonim i dërguar prokurorisë së Romës identifikoi Antonio Passariello si autorin e sulmit, duke pretenduar se ai kishte vepruar në emër të klanit Moccia pa njoftuar bashkëpunëtorët e tij dhe ky veprim kishte shkaktuar pakënaqësi brenda grupit kriminal.
Gazetari Sigfrido Ranucci falenderoi policinë dhe prokurorin Carlo Villani për përfundimin e hetimit, duke theksuar se tani duhet të zbulohet nëse pas sulmit fshihen nivele më të larta organizimi.
