Përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale , shoqëria “Bega 07”, ka hedhur poshtë pretendimet e disa mediave online lidhur me zjarrin e rënë në kodrën mbi Gjirin e Llamanit më 13 korrik. Kompania sqaron se projekti i saj i zhvillimit turistik nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje.
Më tej në reagim kompania ka sqaruar se ajo zhvillon aktivitetin e saj per më shumë se një dekade, duke e quajtur të pakuptimtë të pretendohet se ajo do të kishte interes të shkaktonte një zjarr në kulmin e sezonit turistik.
“Rikujtojmë se, jo vetëm në këtë rast, por në çdo rast të krimeve mjedisore dhe jo vetëm këmi mbajtur dhe do vazhdojmë të mbajmë qëndrim të qartë distancues, duke mbështetur zbatimin e ligjit”, shkruan ndër të tjera kompania.
“Bega 07” thekson se çdo projekt zhvillimi që ajo ndërmerr ndjek rrugë rreptësisht ligjore dhe gëzon lejet përkatëse të miratuara nga KKT, duke bërë më tej një thirrje për hetim nga autoritetet.
Kujtojmë se pasditen e 13 korrikut, një zjarr masiv përfshiu kodrën në anën veriore të Llamanit. Për shkak të temperaturave të larta, erës së fortë dhe terrenit të thyer e shkëmbor, flakët u përhapën me shpejtësi duke shkrumbuar sipërfaqe të mëdha me shkurre dhe bimësi. Në terren ndërhynë mbi 17 zjarrfikës dhe forca të emergjencave civile për të izoluar vatrën që të mos prekte bizneset dhe hotelet aty pranë. Pas ngjarjes media të ndryshme aluduan se ishte kompania “Bega 07”, në pronësi të Arben Muçobega, ajo e cila shkaktoi zjarrin për të lehtësuar hapjen e kantierit.
