Edmond Sula u vra në orët e para të mëngJesit të së dielës së një jave më parë në fshatin Bërxullë të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri teksa po kthehej në banesën e tij, duke mbetur i vdekur në vend.
Ndërkohë detaje të reja kanë dalë në dritë, prej ku mësohet se hetimet për vrasjen e tij janë shtrirë edhe në Maqedoninë e Veriut pasi rezulton se viktima ishte aksioner i një kompanie të licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor
Dyshimet e deritanishem tregojnë se mund të ketë një konflikt të mundshëm në këtë biznes, por deri më tani nuk ka prova bindëse për këtë pistë. Po ashtu pritet që autoritetet shqiptare t’u drejtohen atyre maqedonase zyrtarisht për informacione më të detajuara në lidhje me aktivitetin e Sulës në vend.
Pista tjetër e hetimit e cila sipas burimeve për mediat po shqyrtohet nga autoritetet është edhe fakti që ky mund të jetë një ekzekutim që lidhet me dhënien e fajdeve, ku Edmond alias Ali Sula dyshohet se kishte përfshirë edhe kunatin e tij. Sipas dyshimeve viktima jepte para në shumë të mëdha fajde kryesisht në zonën e Niklës, dhe zonat periferike të Tiranës, dhe në momentin që shumat nuk i ktheheshin dyshohet se ai kërcënonte huamarrësit me marrjen e pronave të tyre,
Po ashtu po hetohet për një lidhje të mundhsme me një nga grupimet më të rrezikshme kriminale, për shkak se shoqërohej me anëtarë të grupit, sipas Vna.al.
Kujtojmë se krimi ndodhi rreth orës 00:10 të datës 12 korrik, kur Sula sapo kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej derës së shtëpisë. Një plumb i marrë në kokë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Dyshohet se autori ka qëlluar nga një distancë prej rreth 50 metrash, në një fushë përballë banesës, duke përdorur pushkë me dylbi ose snajper.
Kujtojmë se viktima njihej si person me influencë në zonë. Ai merrej me shitblerje pronash, një pistë që po hetohet nga policia si shkak i mundshëm i atentatit.
Nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera të tij, pasi Sula ishte i njohur për takime të shpeshta me persona të ndryshëm në lagjen ku jetonte. Policia vijon hetimet për identifikimin e autorit, i cili dyshohet se është larguar me automjet pas krimit.
