Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar me pikëllim ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur Behlul Jashari, një prej emrave më të shquar të gazetarisë kosovare.
Ai i kushtoi mbi pesë dekada profesionit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetën Rilindja, si kryeredaktori i parë i gazetës "Bujku", si dhe përmes raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
AGK e vlerësoi për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tij në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë periudhën e luftës.
Në vitin 2015, Jashari u nderua nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me çmimin “Karriera”, ku u cilësua si dëshmi e gjallë e qëndresës së gazetarit përballë censurës dhe shtypjes.
Ndërkohë, në Vlorë, qindra qytetarë dhe dhjetëra gazetarë i dhanë sot lamtumirën kolegut Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën një ditë më parë në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti automobilistik në zonën e Zvërnecit.
Homazhet u zhvilluan në hollin e Teatrit “Petro Marko”, ku morën pjesë drejtues të UGSH, përfaqësues të mediave, kolegë nga qytete të tjera, si dhe kryeministri Edi Rama, deputetë dhe autoritete vendore.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe AGK shprehën ngushëllimet më të sinqerta për familjet, kolegët dhe miqtë e tyre, duke theksuar se kontributi i Jasharit dhe Mehmetit do të mbetet i paharruar.
