Hapësire reklamuese

Aktualitet

Lidh Unazën Verilindore me Rrugën e Arbrit, shpallet tenderi 5 miliardë lekë për ndërtimin e nyjës strategjike

Shkruar nga Newsbomb
Lidh Unazën Verilindore me Rrugën e Arbrit, shpallet tenderi 5
Imazh satelitor: Unaza Verilindore dhe rruga Myslym Keta, drejt Rruges se Arbrit

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur hapjen e tenderit për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugës lidhëse të Unazës Verilindore me Rrugën e Arbrit. Fondi limit i parashikuar për realizimin e këtij investimi është 491 milionë e 341 mijë lekë.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërhyrja do të zhvillohet në rrugën “Myslym Keta”, në Njësinë Administrative 4 të Tiranës.

Ky aks rrugor konsiderohet një nyje strategjike, pasi lidh rrugën “Aleksandër Moisiu” me Rrugën e Arbrit dhe shërben si një nga arteriet kryesore të lëvizjes së automjeteve në këtë zonë të kryeqytetit.

Segmenti që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes ka një gjatësi rreth 3 kilometra linearë, ndërsa gjerësia e tij varion nga 7 deri në 10 metra. Aktualisht, infrastruktura paraqitet me problematika të shumta, ku përfshihen dëmtime të shtresës asfaltike, amortizimi i trotuareve, ndriçimi i pamjaftueshëm publik dhe sistemet e vjetruara të kanalizimeve.

Dokumenti teknik i projektit evidenton se në disa pjesë të rrugës janë krijuar çarje dhe gropa në asfalt, të cilat ndikojnë në sigurinë e qarkullimit dhe komfortin e drejtuesve të automjeteve. Gjithashtu, trotuaret ekzistuese janë në gjendje të amortizuar, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve, veçanërisht të të moshuarve, fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Një tjetër problem i identifikuar është mungesa e ndriçimit të plotë publik përgjatë gjithë segmentit. Sipas projektit, disa zona mbeten të pandriçuara gjatë natës, duke ndikuar në sigurinë e banorëve dhe përdoruesve të rrugës, raporton Scan Tv.

Ndërhyrja parashikon rehabilitimin e plotë të rrugës, rikonstruksionin e trotuareve, përmirësimin e sistemit të ndriçimit dhe modernizimin e kanalizimeve për ujërat e zeza dhe të bardha. Projekti synon që infrastruktura e re të përballojë më mirë fluksin në rritje të automjeteve dhe zhvillimin urban të zonës.

Sipas objektivave të përcaktuara, do të realizohet asfaltimi i plotë i segmentit rrugor, riparimi i dëmtimeve ekzistuese dhe krijimi i një sipërfaqeje më të qëndrueshme për qarkullimin e automjeteve. Paralelisht do të ndërhyhet në trotuare për të garantuar siguri dhe aksesueshmëri për këmbësorët.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese