Pas seancës së sotme gjyqësore në lidhje me privatizimin e tokës shtetërore për ndërtimin e kompleksit “Partizani”, Jamarbër Malltezi hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.
Madje në fjalën e mbajtur para mediave dhëndri i Sali Berishës i shoqëruar me një nga trashëgimtarët e tokës, Xhimi Begeja, janë shprehur se shteti i detyrohet atyre dhe 22 mijë metra katrorë tokë.
Në fjalën e mbajtur para mediave, Begeja tha se sipërfaqja totale e pesë familjeve pronare është rreth 67 mijë metra katrorë, ndërsa ish-Klubi Sportiv “Partizani” zinte rreth 45 mijë metra katrorë, duke pretenduar se shteti sot e kësaj dite u detyrohet atyre 22 mijë metra katrorë.
Nga ana tjetër, Malltezi u ndal edhe te procedura e dorëzimit të pronës, duke argumentuar se autorizimi u dha në janarin e vitit 2009, por dorëzimi u realizuar nëntë muaj më vonë.
Ndërsa bëhet me dije se seanca e radhës gjyqësore për çështjen “Partizani” do të mbahet më 14 shtator.
Siç kemi raportuar dhe më parë, Jamarbër Malltezi, akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta.
Po ashtu dhe Sali Berisha, ish-kryeministri akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Fjala e Xhimi Begejës: Prona e të gjithë pronarëve së bashku është rreth 67 mijë metra katrorë. Klubi Partizani zë rreth 45 mijë metra, diferenca prej 22 mijë metrash, shteti detyrohet akoma në të gjitha format. Dihet që këtu kur nuk funksionon ligji as shteti, ne do ta ndjekim në të gjitha hapat e drejtësisë.
Dëshmitarët pak a shumë dëshmuan në mënyrë korrekte, do të vijojmë më tej më datë 14 shtator, ku do të jenë dhe grupi tjetër i dëshmitarëve.
Fjala e Jamarbër Malltezit:
Ligji e detyronte shtetin ta dorëzonte pronën brenda 35 ditësh, ndërsa dorëzimi u bë vetëm pas 9 muajsh. Kjo nuk tregon favorizim, por një vonesë të pajustifikuar. Po ashtu, në sallën e gjyqit Taulant Balla tha 12 gënjeshtra dhe askush nga prokurorët politikë nuk ndërmori asnjë veprim për dëshmi të rreme.

