Një 58-vjeçar është gjetur i pajetë këtë të hënë brenda një guve në fshatin Drizë, në qytetin e Kuçovës.
Sipas informacioneve paraprake, familjarët e kishin denoncuar zhdukjen e tij në polici, pasi ai ishte larguar nga banesa dy ditë më parë dhe nuk ishte kthyer më. Ata kërkuan ndihmën e policisë për gjetjen e tij, duke bërë me dije se kohët e fundit ai kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor.
Pas kallëzimit, policia organizoi kërkime në zonë, të përqendruara kryesisht pranë guvës në fshatin Drizë, ku disa banorë e kishin parë 58-vjeçarin të hynte.
Pas kërkimeve intensive, trupi i pajetë i 58-vjeçarit, Gramoz Grymshi, u gjet në brendësi të guvës.
Sipas policisë, në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune, por dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mungesës së ajrit.
Trupi i 58-vjeçarit është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
