Në ditët kur bregdeti mbushet me pushues dhe çdo minutë ka rëndësi për shpëtimin e një jete, Urgjenca Kombëtare organizoi një demonstrim praktik në plazh. Simulimi tregoi ndërhyrjen në rastet e incidenteve në det dhe procedurat e dhënies së ndihmës së parë.
Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, shpjegoi hapat që duhen ndjekur në çdo fazë të ndërhyrjes, duke theksuar se zbatimi korrekt i protokolleve dhe koordinimi i ekipeve janë vendimtarë për rritjen e mundësive të mbijetesës.
“E vetmja teknikë që bëhet janë dy gishta te pjesa kockore e mandibulës dhe hiper-ekstensioni i kokës,” - u shpreh Brataj, duke sqaruar detajet e manovrës së shpëtimit.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, vlerësoi rëndësinë e ushtrimeve të tilla, duke theksuar se përgatitja e ekipeve duhet të shoqërohet edhe me ndërgjegjësimin e qytetarëve.
“Janë të rëndësishme që këto trajnime të bëhen, sepse ndihma e parë shpeshherë jepet edhe nga qytetarët dhe nëse dihet si të jepet, është shumë efektive për të shpëtuar jetë,”- tha ajo.
Autoritetet apeluan që pushuesit të respektojnë masat e sigurisë, të lahen vetëm në zonat e mbikëqyrura nga rojet bregdetare dhe të kërkojnë menjëherë ndihmën e shërbimeve të emergjencës në çdo situatë rreziku.
Reagimi i shpejtë dhe dhënia e saktë e ndihmës së parë mbeten faktorët kryesorë për shpëtimin e jetës. Vetëm gjatë muajit qershor u raportuan gjashtë viktima nga mbytja në ujë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e masave parandaluese dhe vrojtimit në çdo plazh.
