Pas 19 vitesh burg, duket se e shkuara ende e përndjek 63-vjeçarin Pjetër Marku, pas një vrasjeje të kryer në vitin 1997. Ai tashmë nuk është më i mirëpritur në familjen e tij, nga frika e gjakmarrjes, i pashpresë për t’u rikthyer ai jeton i braktisur në malësnë e Pukës.
Ai u lirua në vitin 2015, e që prej atëherë kalvari i tij i vuajteve nuk ka pasur të ndalur, pasi ai vuan edhe nga tuberkulozi. Prej daljes në liri ai kurrë nuk ka pasur një strehim të sigurt. Disa herë është strehuar për mirësi nga njerëz të ndryshëm, ndërsa së fundi vetëm mali dhe një objekt i braktisur janë kthyer në çati mbi kokën e tij.
“Unë kam dalë prej hallit në mal, se nuk kam ku të shkoj. Kam shumë ditë që jam pa bukë, nuk reziston dot njeriu", ka thënë ai për ReportTv.
Pjetri e ka pranuar fatin, dhe nuk është i zemëruar me familjen e tij teksa thotë se i kupton që nuk munden ta pranojë, por ende frika se mund t’i ndodhë me keqja në vetmi e “gërryen” përbrenda, tashmë për të s’ka më shpresë se dikush do të kujtohet.
Ai është penduar, “e mira është t’i shmangemi armës”, shprehet, duke thënë se për të shteti nuk ka ekziztuar kurrë, se në rast se do të ishte e kundërta do të interesoheshin për të.
