Prej 50 ditësh me radhë, rrugët e Tiranës janë kthyer në skenën kryesore të mobilizimit qytetar kundër qeverisë. Edhe këtë të diel, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të nisur marshimin e tyre drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalimet nga qytetarët.
Vijojnë thirrjet e përsëritura për ndryshim politik, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si një kërkesë e panegociushme si edhe plotësimin e kërkesave të tjera, të cilat janë: Krijimi i një qeverie trnazitore për jo më pak se 12 muaj, ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ndryshime në ligjin për financimin e partive politike si edhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit jo ë shumë se dy mandate. Paralelisht me këto kërkesa kërkohet edhe anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Protesta, e cila po vijon me ritëm të pandërprerë, ka shënuar një nga mobilizimet më të gjata të viteve të fundit.
Në javët e fundit, kauzës qytetare i janë bashkuar edhe figura të njohura nga arti, media dhe ekrani, të cilët kanë zgjedhur të jenë pjesë e marshimeve, duke i dhënë protestës një dimension më të gjerë shoqëror.
