Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale ditën e sotme, ku më konkretisht bëhet fjalë për një tjetër atentat i cili sipas të dhënave hetimore dhe provave të sekuestruara do t’i bëhej Preng Gjinit, makina e të cilit u hodh në erë në lëvizje edhe në shtator të vitit 2020 në zonën e Selitës në Tiranë, raporton Euronews.al.
Pak ditë më parë blutë e Shkodrës arrestuan në flagrancë 38 vjeçarin Euglen Buraku me një sasi lënde plasëse të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Buraku banues në Durrës lëvizte në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës me një automjet me targa të vjetra të mbivendosura ndërsa nga ekspertimi i aparatit të tij celular iu gjet në brendësi foto e Preng Gjinit.
Sipas hetuesve është zbuluar edhe një tjetër autor i dyshuar, 34 vjeçari Eduard Përgjoka, në banesën e të cilit në Rubik u sekuestruan kapsolla detonatorë, 11 celularë dhe fara kanabisi.
Ky i fundit është shpallur në kërkim pasi bashkë me të arrestuarin po hetohen për vrasje me paramendim mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Kujtojmë se nga hetimet e kryera nga SPAK në kuadër të dosjes së “Revanshit”, atentati i parë ndaj Gjinit u krye për motive hakmarrje ndërsa të pandehur të arrestuar dhe në mungesë janë marrë 6 persona si urdhërues dhe sigurues të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje.
