Pas kontrolleve të ushtruara në banesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë “zbarkuar” edhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut.
Burime për mediat bëjnë me dije se oficerët e BKH-së, pas kontrolleve në banesën e Veliajt ku dhe bënë të mundur sekuestrimin e telefonit të Ajola Xoxës, kanë shkuar dhe në banesën e Arbër Veliajt.
Disa agjentë janë ndalur edhe në selinë e galerisë “Harabel” që ndodhet në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ku kanë ushtruar kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura lidhur me pasurinë e Veliajt dhe familjarëve të tij.
Ndërkohë, pritet që në orët në vijim të ushtrohen kontrolle edhe në zyrën e kryebashkiakut Veliaj në Bashkinë e Tiranës, i cili nuk ndodhet në Shqipëri pasi ka udhëtuar drejt Gjermanisë për një vizitë zyrtare dy ditore.
Deri më tani lidhur me këto kontrolle të nisura prej mëngjesit të kësaj të premte nuk ka ende një njoftim zyrtar. Priten më tepër detaje në vijim.