Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka “zbarkuar” mëngjesin e kësaj të premte në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në shtëpinë e kryetarit të Bashkisë të Tiranës ku dhe kanë zhvilluar kontrolle.
Agjentët e BKH-së ndodhen në banesën ku jeton kryebashkiaku, por ende nuk dihen detaje. Në momentin e kontrollit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk ka qenë prezent në banesë pasi ndodhet në Hamburg të Gjermanisë, për një vizitë dy ditore.
Kujtojmë se në prill të këtij viti Erion Veliaj, u paraqit pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku dhe qëndroi për gati 7 orë.
Asokohe u bë me dije se qytetari i parë i Tiranës u pyet nga hetuesit e SPAK për aferën e Inceneratorit të Tiranës.
Duke i quajtur hetuesit e Prokurorisë së Posaçme si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha se është treguar bashkëpunues me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm.