Një snajperist i Forcave Speciale RENEA është vendosur në pozicion gati për qitje, mbi kodrën e fshatit Kurjan ku raportohet se është i ngujuar Nertil Buzi alias Refit Buzi. 35 vjeçari është autor i dyshuar i vrasjes së ish-vjehrrit, plagosi ish-vjehrrën dhe mori peng ish-të fejuarën.
Grupi i negociatorëve të Forcave Speciale dhe efektivë të Drejtorisë së Policisë Fier kanë tentuar disa herë që ta bindin të riun të dalë nga makina dhe të dorëzohet, por ai nuk pranon.
Siç shihet dhe nga pamjet, Nertil Buzi është ngujuar në makinën me të cilën u largua nga fshati Vidhisht i Roskovecit dhe deri tani, për më shumë se 3 orë, ka refuzuar çdo tentativë për t'ju dorëzuar Policisë së Shtetit.
Kryepolici i Fierit, Erion Ahmeti ka deklaruar për mediat nga zona, se 35 vjeçari nuk pranon të dalë nga makina dhe qanë vazhdimisht, duke ju thënë policëve se do të vrasë veten.
Pranë makinës së tij janë afruar dhe disa punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët i kërkojnë të dorëzohet, ndërsa në kodrën përballë snajperisti i RENEAS ka marrë pozicion gati për qitje, duke qëndruar në gatishmëri për çdo urdhër dhe çdo përshkallëzim të mundshëm.
Nertil Buzi alias Refit Buzi ka lënë të lirë ish-të fejuarën me të cilën u largua orët e para të mëngjesit nga Roskoveci, pasi vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën, dhe është ngujuar në makinë.
© Newsbomb.al

