Teksa për pak minuta pritet të nisë protesta e thirrur mëngjesin e sotëm para Parlamentit, ku qytetarët kanë njoftuar se si herët e fundit do të presin me vezë në duar deputetët, Policia mësohet se ka rrethuar zonën me gardh metalik. Burimet bëjnë me dije se perimetri i sigurisë sot është zgjeruar, pasi blutë kanë vendosur gardh metalik deri te kryqëzimi i "Rrugës së Elbasanit".
Ndërkohë, Ambasada Amerikanë në Tiranë ka dalë me njoftimin e rëndësishëm duke sugjeruar që të shmanget zona e protestave, pasi mundet që situata të përshkallëzohet me përplasje fizike.
“Një protestë është planifikuar përpara ndërtesës së Parlamentit, e vendosur në rrugën George W. Bush. Kjo protestë lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrit, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej.
Protesta të tjera mund të ndodhin në ditët në vijim. Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen në zonat e afërta, duke përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut mund të priten në orët para dhe gjatë protestave. Personelit të qeverisë amerikane këshillohet të shmangë zonat e protestave” shkruhet në njoftimin e ndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

