Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në emisionin "Now" nga Erla Mëhilli në Euronews Albania, ka folur në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Postën Shqiptare, në filialin e Durrësit ku theksoi se ish-drejtoresha e institucionit nuk shihej si një menaxhere e aftë, por si një person me probleme në drejtim dhe e njohur si frekuentuese e kazinove.
Llabani nënvizon se sjellja e ish-drejtoreshës përpara hetuesve ka qenë e hapur dhe pa frikë, duke ngjallur dyshime se pas saj mund të fshihen persona me ndikim të lartë.
"Kjo është një skemë e mirëfilltë më e gjerë, pra që shkon përtej këtyre tre grave. Jam e interesuar të pyes tek njerëz që kanë një lloj influence në qytetin e Durrësit dhe këtë drejtoreshën e shikonin si njeri me probleme në mënyrën se si e ka menaxhuar qoftë detyrën e saj në drejtimin e postës, por është e njohur për ta që ajo ishte një frekuentuese kazinosh.
Kështu që unë kam parë në karrierën time video të tilla ku hyjnë me maska dhe vjedhin, por nuk kisha parë drejtoreshë që vjedh brenda me sekretaren e vet.
Pra kemi një ndryshim të aktorëve në ngjarje të tilla dhe sigurisht që, aq më tepër, deklaratat e saj të dhëna përpara autoriteteve të drejtësisë që “mua nuk ma ndalon askush këtë gjë”, tregon që pas saj ka njerëz të tjerë që duket se kanë një lloj fuqie dhe një lloj atributi si një grup të strukturuar më shumë sesa veprime individuale të të dyjave”, tha gazetarja.
Ajo shtoi se Prokuroria e Durrësit po verifikon nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme, të padeklaruara ose të padenoncuara më parë.
“Unë di që është në verifikim nga ana e Prokurorisë së Durrësit për të parë nëse ka patur raste të tjera… Por është një gjë që në vite, edhe në profesion tjetër, kjo zonja e ka bërë.”, u shpreh Llabani
