Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Kërkesa e Gazment Bardhit për dosjen “Xibraka”, kreu i SPAK e konfirmon: Kemi regjistruar procedim për këtë çështje

Shkruar nga Newsbomb
Kërkesa e Gazment Bardhit për dosjen “Xibraka”, kreu i
Olsi Rama hde Gazment Bardhi

Në një takim të zhvilluar me gazetarët paraditen e kësaj të hëne, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur për disa çështje të cilat përgjatë kohëve të fundit kanë qenë në qendër të vëmendjes.

Një prej këtyre çështjeve është edhe dosja e ashtëquajtura “Xibrakë”, për të cilët kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën.

Kreu i SPAK sqaroi se lidhur me këtë dosje është regjistruar procedim penal, teksa më tej theksoi se ana e Gazment Bardhit nuk ka asnjë kallëzim.

“Ne kemi regjistruar procedim penal për këtë çështje, ndërsa sa i takon faktit nëse ka bërë apo jo kallëzim zoti Bardhi, jo nuk ka bërë”, mësohet të ketë thënë Dumani për gazetarët.

Gazment Bardhi më herët deklaroi se kishte kallëzuar në SPAK, vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën, pasi pretendon se ky i fundit është i përfshirë në çështjen e “Xibrakës”.  Por, rezultoi se nga ana e Bardhit nuk ishte bërë një kallëzim, por vetëm një kërkesë për rinisje të hetimeve lidhur me këtë dosje.

Pas kësaj, ka qenë Olsi Rama i cili depozitoi kallëzim pranë organit më të lartë të akuzës, ku dhe e akuzonte Bardhin për “kallëzim të rremë”. Kjo kërkesë e Ramës në SPAK, nuk u pranua nga SPAK, për shkak se Bardhi nuk kishte bërë kallëzim në Prokurori, por vetëm një kërkesë për rinisje të hetimeve për “Xibrakën”.

Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, më 15 maj 2024 kallëzoi sërish në SPAK deputetin demokrat. Në kallëzimin e dytë, Olsi Rama i referohej një statusi të Gazment Bardhit të bërë më 8 maj në “Facebook”, ku kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike shkruante se SPAK e kishte njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve. Por, për të dytën herë radhazi u pushua kallëzimi penal.

Goditja e laboratorit të drogës në Xibrakë

Grupi i drogës "Xibraka" u zbërthye në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit të asistuar nga agjentë të Policisë gjermane, ndërsa u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë, 10 km larg qytetit të Elbasanit. Në sajë të atij operacioni, tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.

U shpall në kërkim Genci Xhixha, i cili njihej si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Kanë qenë autoritet gjermane që në datën 17.12.2014, sollën në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.

Pas këtij informacioni Krimet e Rënda nisën hetimet që zgjatën afro 8 muaj. Rezultoi se të pandehurit kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit ata kanë importuar në territorin e Shqipërisë një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë. Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator ku përpunohej lënda bazë që përmbante kokainën deri sa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese