Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjen e ndodhur ditë më parë, ku Pal Trashaj, qytetari i marrë “peng” nga mikrokreditë piu fostoksinë para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë një takimi me gazetarët, Dumani u shprehu ngushëllime familjarëve të së ndjerit, teksa theksoi se SPAK nuk mund të hetojë çështje personale të qytetarëve pasi sipas tij koptetencat janë të qarta dhe ligji nuk ua lejon.
“Ne kemi një çështje nën hetim, por ne nuk mund të hetojmë çështje personale të qytetarëve sepse ligji nuk na e lejon. I kemi të përcaktuara kompetencat. Gjej rastin t’i shpreh ngushëllime familjes së qytetarit, i cili humbi jetën përballë SPAK. Jam i keqardhur si prokuror, por edhe si qytetar por i kemi të përcaktuara qartë kompetencat”, mësohet të ketë thënë Dumani , i cili u pyet nga gazetarët për çështjen e “Mikrokredive”.
Pal Trashaj, 63 vjeç, u nda nga jeta më 3 korrik, një ditë pasi piu fostoksinë para ambienteve të SPAK. 63-vjeçari, si shumë qytetarë të tjerë ka qenë viktimë e mikrokredive. Ai u shfaq para dyerve të Prokurorisë së Posaçme dhe piu fostoksinë, pasi nuk po merrte dot zgjidhje për hallin e tij.
Jo shumë kohë më parë përmbarimi i kishte sekuestruar pronën në këmbim të shlyerjes së kredisë.
Viktima, në vitin 2008 kishte marrë një kredi më vlerë 5 milionë lekë të vjetra në Institucionin Financiar "Opportunity", i cili më pas u kthye në NOA Finance.
Pal Trashaj paguante 150 mijë lekë të vjetra në muaj dhe në kushtet kur institucioni financiar ku ai kishte marrë kredinë nuk kishte bankë, marrëveshja ishte bërë që pagesat të kryheshin përmes Bankës Raiffaisen ku ai tërhiqte pagën.
Vite më parë kur e ka denoncuar rastin në një emision investigativ, viktima ka thënë se pesë këste të kredisë i kishte paguar në Institucionin Financiar NOA në Lezhë, pasi kalonte përpara kësaj dege kur shkontë në punë, ose kur kthehej prej saj.
Këtu, dyshohet se ka ndodhur dhe mashtrimi i 63 vjeçarit, pasi dyshohet se këstet nuk janë regjistruar si të paguara.
Në krye të pesë viteve, Pal Trashaj ka paguar 8 milionë lekë të vjetra, për kredinë që kishte marë në vitin 2008 në vlerën e 5 milionë lekëve. Interesat ishin rreth 3 milionë lekë të vjetra dhe në total, kur kredia mbaroi viktima e skemës së mikrokredive kishte paguar 8 milionë lekë.
Muajt kishin kaluar dhe ish-drejtori i Forumit të Trashëgimisë Kulturore vazhdonte i qetë jetën me familjen e tij. Derisa një ditë e marrin në celular nga dega e NOA në Lezhë dhe i bëjnë me dije se kishte për të shlyer dhe një debi në vlerën e 400 mijë lekëve të vjetra, që kredia të mbyllej plotësisht.
I habitur, Pal Trashaj kërkoi informacion, me gojë dhe me shkrim, por askush nuk i dha përgjigje duke pretenduar se stafi ishte i ri dhe nuk ishte në dijeni të problematikës, por vetëm të borxhit që duhet të shlyente.
Kur është paraqitur fizikisht pranë zyrave të këtij Institucioni Financiar, është informuar se detyrimi nuk ishte më 400 mijë lekë të vjetra, por kishte shkuar 900 mijë lekë. Duke llogaritur në mënyrë kriminale dhe interesat, Pal Trashaj është njoftuar se detyrimi kishte shkuar në 4.4 milionë lekë të vjetra.
Kredia e tij ishte kategorizuar si "kredi e keqe" dhe i ishte shitur subjekteve të mikrofinancës që lulëzuan në Shqipëri prej vitit 2017.
Një ndër to ishte dhe "Micro Credit Albania", për të cilën Revista Neësbomb.al ka sjell një numër investigimesh që kanë rrënuar mijëra familje, përmes skemave kriminale të mashtrimit të qytetarëve duke shumëfishuar detyrime minimale. Sot, Banka e Shqipërisë në bazë të shkeljeve të rënda, i ka hequr licënës kësaj kompanie.
Nga viti 2017 deri në 2020, ish-drejtorit të Forumit të Trashëgimisë Kulturore i janë dërguar vazhdimisht zarfe me "vulë të kuqe", ku njoftohej nga shoqëria përmbarimore që të kryente pagesat ose në të kundërt ndaj t'i do të merreshin masa bllokimi.
Kur ka shkuar në sportelet e "Micro Credit Albania", ai ka treguar se atje kishte parë një "bandë djemsh të rinj" që përdorej për të dhunuar e shantazhuar qytetarët që kishin kredi të këqija.
Madje, aq hapur vepronte kjo bandë kriminale e mikrokredive dhe konkretisht "MCA", saqë njoftimet ndaj Pal Trashaj herë shkonin për detyrim në vlerën e 4.4 milionë lekëve të vjetra e herë në vlerën e 4.8 milionë lekëve. Në total, bashkë me kredinë që ai kishte shlyer në 2013, detyrimi kishte shkuar në 12.4 milionë lekë.
Në kushtet kur nuk kishte gjetur zgjidhje, ai kishte njoftuar mediat, ambasadat dhe kishte bërë kallëzim në prokurori, por dosja kishte mbetur në sirtare. Pavarësisht betejës ndër vite, "Micro Credit Albania" i kishte bllokuar Pal Trashaj shtëpinë, tokën dhe makinën.
Madje, edhe pagat e tij dhe të bashkëshortes ishin bllokuar dhe për këtë, familja Trashaj ishte zhytur në një gjendje të mjeruar ekonomike. Një nga fëmijët e viktimës, vajza e tij, ishte detyruar të ndërpriste dhe shkollën e lartë në vitin 2015 për shkak se familja nuk kishte para.
© Newsbomb.al