Detaje të reja janë mësuar për ngjarjen e sotme të ndodhur në Rinas, ku një atentat me armë la të vdekur në vend Gilmando Danin si dhe u plagos Muçi Shaljani (Sheqeri).
Burime jo zyrtare tregojnë se të dy janë kthyer ditën e sotme nga Barcelona, ndërsa atentatorët i kanë bërë pritë në dalje të aeroportit të Rinasit.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Dani dhe Shaljani kanë lënë Tiranën në datën 7 nëntor, ndërsa automjeti tip “Benz” ka qenë i parkuar prej 4 ditësh në aeroport. Kthimi i tyre në Shqipëri ka rezultuat fatal për Gilmando Danin, një emër i njohur për uniformat blu, si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Ndërkaq duhet theksuar se automjeti nuk ka qenë me xhama të blinduar sikurse u raportua në media, por me qese plastmasi duke ia vështirësuar punën efektivëve për të hapur dyert e mbyllura nga brenda.
Gjithashtu, automjeti i përdorur tip “Toyota Yaris” i gjetur i djegur në fshatin Halilaj raportohet se ka armë brenda që dyshohen të jenë përdorur në atentat. Por, policia nuk ka mundur fillimisht të afrohet për shkak të shpërthimit të mundshëm të ndonjë plumbi të armëve.






