Gilmando Dani ka mbetur viktimë e një atentati të regjistruar pasditen e kësaj të marte në rrethrrotullimin në afërsi të Aeroportit të Rinasit.
Persona të paidentifikuar të cilët ishin duke qarkulluar me një automjet tip “Toyota” me targa greke kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po udhëtonte Dani së bashku me mikun e tij, Muçi Sheqeri alias Shaljani.
Si pasojë i vdekur në vend mbeti 47-vjeçari, mik i Emiljano Shullazit, ndërkohë që i plagosur mbeti shoferi 40-vjeçar. Gilmando Dani sa kishte arritur në Shqipëri në aeroportin e Rinasit, ku e ka pritur miku i tij.
Policia e Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se Shaljani është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës. Ai është duke marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë vlen të theksohet se fatkeqësisht ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
“Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve”, bën me dije Policia e Shtetit, teksa theksojmë se pak pas ngjarjes automjeti i përdorur nga autorët është gjetur i braktisur në fshatin Halilaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se automjeti me të cilin po udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Sheqeri alias Shaljani rezulton të jetë në pronësi të Elvis Kosovës, një emër jo i panjohur për Policinë.
Jo më larg se verën e këtij viti, atij iu vendos një sasi lënde plasëse në portën hyrëse të garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.
Kush është Gilmando Dani, 47-vjeçari që vdiq sot në atentat:
47-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë dhe autoritetet e zbatimit të ligjit në Shqipëri, për shkak të marrëdhënieve të forta shoqërore me Emiljano Shullazin, si anëtar i grupit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i këtij të fundit.
Viktima, mik i një prej eksponentëve më të lartë të krimit në Tiranë, Emiljano Shullazi, udhëtonte si pasagjer në një mjet luksoz Mercedes Benz S Class me një mikun e tij, i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital.
Autorët raportohet se kanë qenë në një makinë me targa greke dhe kanë hapur zjarr me breshëri kallshanikovi nga ana e djathtë e mjetit, pasi Gilmando Dani ndodhej në vendin e parë si pasagjer. Nga breshëria, plumbat kanë përshkruar dhe anën tjetër, duke prekur dhe shoferin.
Ky nuk është atentati i parë ndaj Gilmando Danit, të paktën nga ngjarjet që janë bërë publike, pasi në Janar 2015 ai është tentuar të vitet në mes të Tiranës.



