
Një skandal i madh ka prekur bluzat e bardha në vend teksa Prokuroria e Tiranës ka arritur të bjerë në gjurmët e një skeme të mirëfilltë korrupsioni në Spitalin Onkologjik. Organi i akuzës ka ngritur sot pretencën, ku Gjykata e Tiranës ka vendosur masat e sigurisë për shtatë të arrestuarit.
Ndërkaq, pjesë e dosjes ishte edhe koordinatori i Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela i cili bënte ndërmjetësimin e pacientëve për t’u futur pa radhë, për t’i transferuar më pas te klinika e mjekut Edmond Gashi. Në fashikullin e Prokurorisë së Tiranës është detajuar se si shtetasi në fjalë u merrte paratë pacientëve për të marrë më tej përqindjen e tij.
“Gjithashtu nga raportet e vëzhgimit në raportin e datës 09.02.2024 nga ana e agjentëve të operacionales është kapur një moment kur rreth orës 11:45 min shtetasi Emiljano doli nga spitali dhe u drejtua për tek parking i mjeteve ku takoi një burrë rreth të 65-ve, i cili kishte një kapele të zezë në kokë i veshur me xhup të madh ngjyr kaf me pantallona të zeza e këpucë të zeza.
Të dy së bashku lëvizën në brendësi të parkingut të mjeteve dhe ndaluan duke biseduar rreth 5 minuta. Më pas personi i paidentifikuar nga ana jonë i ka futur diçka në xhep. U ndanë nga njëri-tjetri subjekti ynë u fut brenda në spital ndërsa personi tjetër qëndronte në ambientin e jashtëm të spitalit”, thuhej në dosje, ndërsa në foto shfaqet shtetasi Emiljano Lela bashkë me një person tjetër të pretenduar se i ka marrë paratë.
