Pas sulmit me armë të kryer në Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja, dhe të plagosur dy shtetas të tjerë, ka bërë një reagim në rrjetin social “FaceBook”, presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja”, ka shkruar Begaj.
Ai është shprehur se sulmi i bërë jo vetëm ndaj gjyqtarit por edhe ndaj drejtësisë, duhet të përballet me përbuzje dhe mospajtim nga shoqëria pasi e konsideron si një atentat makabër.
Presidenti shpreh mbështetjen për familjen dhe kolegët e të ndjerit në emër të shtetit.
Postimi i Plotë:
Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.
Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen.

