Ashtu sikurse veprimet dhe deklaratat e saj e kishin paralajmëruar, ish-ministrja e kabinetit Rama dhe deputetja socialiste, Elisa Spiropali tashmë ka hedhur hapin e parë konkret. Spiropali, e cila prej muajsh është kthyer një nga zërat më kritikë ndaj mënyrës së funksionimit të qeverisë dhe forcës politike ku ajo bën pjesë, ka dorëzuar zyrtarisht në Asamblenë e Partisë Socialistë një mocion për hapjen e partisë.
Në një prononcim të shkurtër për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Spiropali konfirmoi për gazetaret se mocioni tashmë është dorëzuar.
"Është dorëzuar sot në Asamblenë e Partisë Socialiste", u shpreh shkurt deputetja socialiste, pa dhënë detaje të tjera mbi përmbajtjen e dokumentit.
“Nga ana ime premtimi u mbajt dhe ju përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument i imi, është i hapur për të gjithë anëtarët ep artisë, ja kam drejtuar kryetarit dhe kryeministrit, do jetë i hapur edhe për publikun. Sepse një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet as nga një apo 2 individë por të shprehë vullnetin e shumicës”, tha Spiropali më tej.
Kujtojmë se kjo lëvizje e Elisa Spiropalit vjen vetëm pak javë pasi kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së u bëri thirrje ironike atyre që ai i cilësoi si "shpirtra të humbur" brenda familjes socialiste.
Duke iu referuar zërave kritikë në parti, mes të cilëve edhe Spiropalit, Rama i ftoi publikisht që të hartonin dhe të paraqisnin një draft konkret me propozimet e tyre për një "marrëveshje të re" dhe për vizionin që ata pretendojnë për Partinë Socialiste dhe Shqipërinë.
"Është edhe një thirrje për një marrëveshje të re, Shqipëri të re. Ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan Shqipëri të re. Mezi pres të na sjellin draftin e Shqipërisë së re, të shkruar dhe jemi aty të bëjmë marrëveshje, por kam frikë se drafti nuk do vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është si të gjitha siluetat e flamigove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja. Fatosi poshtë, flamingo lart, HI HI HI edhe Shqipëria e re", tha Rama në fjalën e tij para socialistëve, mbledhje e cila u mbajt në 20 qershor.
